RTSH Sport Live

Besa, Magani nuk fshihet sa i përket objektivave

  • 26/08/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Besa, Magani nuk fshihet sa i përket objektivave
“Pretendojmë tre vendet e para, presim disa afrime”

Gugash Magani rikthehet edhe një herë në pankinën e Besës. Tekniku peqinas do të drejtojë këtë sezon ekipin kavajas në Kategorinë e Parë me synimin për të bërë sa më mirë, në një klub që prej kohësh e ka humbur shkëlqimin dhe që ka vuajtur për të arritur objektivat. Pavarësisht afrimeve me peshë si Chinonso Onuh, Enes Kukës apo Aleandro Dakës, Magani ende pret disa përforcime për skuadrën e tij

“Rreth 80 përqind e skuadrës është e ndërtuar – tregon Magani – presim dy lojtarë në prapavijë dhe një portier, i cili të rivalizojë portierin aktual. Jemi në tratativa, por ende nuk na janë ofruar ato që na duhen. Kështu që na ngelet edhe pak për të plotësuar ekipin”.

Gugash Magani nuk fshihet sa i përket objektivave dhe tregon pa frikë se ekipi i tij kërkon të jetë sa më lartë në tabelën e klasifikimit

“Objektivat tona janë për të qenë në dy tre ekipet më të mira të Kategorisë së Parë. Mos harroni që ka ekipe si Skënderbeu, Dinamo e Flamurtari, pa nënvlerësuar të tjerat, që janë shumë të fortë. Unë i kam drejtuar një pjesë të mirë të këtyre të skuadrave. Nuk them që është një superiore e dytë, por në nivel është i balancuar me elitën e futbollit shqiptar. Kështu që do të jetë kampionat i fortë dhe me shumë cilësi”, ka përfunduar Magani.