RTSH Sport Live

Besa, Mërgjyshi: Na ka munguar organika

  • 29/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Besa, Mërgjyshi: Na ka munguar organika
Trajneri i Besës, në një prononcim në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, tregon arsyet e mosarritjes së objektivave

U nis si një skuadër pretendente, por tani që sezoni është në një moment të rëndësishëm, skuadra e Besës nuk është ni nivelet e pritura. I pranishëm në studion e emisionit  emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, trajneri i skuadrës kavajase, Artan Mërgjyshi ka treguar të gjitha arsyet që sollën këtë situatë aktuale, si dhe ka folur për skuadrat pretendente në Grupin B.

“Është një kampionat shumë i vështirë. Në pjesën e dytë, pas janarit për ne u bë akoma më i vështirë. Pretendonim për tu ngjitur në Superiore, për të garuar me Egnatian që ka kryesuar me meritë deri tani. Pas janarit doli Tomori, si një surprizë. Gjithsesi, unë dua të flas për Besën. Kishim pritshmëri të mëdha, por nuk i arritëm për arsye të ndryshme. Nuk dua të gjej alibi, por një nga arsyet është organika e pakët në dispozicion. Dëmtimet e mungesat e lojtarëve kryesorë bënë që të mos kishim shumë alternative nga stoli. Sefa, Hyseni Kukaj, Shima apo Kajna janë lojtarë që nuk i kam patur në dispozicion në këtë periudhë. Gjithashtu, skuadra nuk ka qënë aq e lirshme dhe aq e qetë, pa harruar dhe arsyen e fundit ku jemi penalizuar edhe nga gjykimi”.

“Egnatia dhe Tomori? Çdo ndeshje ka specifikën e vet, kemi luajtur njëra pas tjetrës me të dyja skuadrat. Nga ana jonë, situata ishte ndryshe, sepse në ndeshjen me Tomorin vinim pas humbjes me Egnatian. Skuadra humbte pak atë trysninë e pozicionit, të pikëve, por mund të them se Tomori na ka surprizuar në këtë periudhë të dytë të sezonit. Është rritur shumë, ka krijuar stabilitet në lojë. Janë rritur psikologjikisht dhe kanë marrë pothuajse pikët maksimale”.

“Tani kanë krijuar besim tek vetja dhe nuk kanë më frikë asnjë kundërshtar. Ana psikologjike ka qënë në favorin e tyre, sepse Egnatia po e ndjente presionin dhe nuk u shpreh mirë në ndeshjen e fundit. Ndërkohë, Tomori ka vazhdimësinë e treguar gjatë kësaj periudhe. Edhe kundër nesh, Egnatia ka treguar oshilacione, nuk ka patur qëndrueshmëri, pavarësisht se nuk kishte pësuar humbje”.

“Kampionati është i gjatë dhe humbja vjen, tani do të duket se sa e fortë është skuadra, si do ta përballojë këtë disfatë. Kampionati është i hapur, sepse luan Pogradei, por jemi edhe ne që kemi synimet tona për të shkuar në vendin e dytë, sepse çdo gjë është e mundur. Do të jetë një kampionat i bukur dhe unë shikoj Tomorin të avantazhuar, sepse është në ngjitje”.

“Kush mund ta bëjë diferencën në Grupin B? E vështirë ta përcaktosh, janë tre skuadra me dëshirë të madhe por me cilësi dhe karakteristika të ndryshme. Diferencën them se do e bëjë ana psikologjike, që mendoj se është në favor të Pogradecit dhe Tomorit, sepse janë skuadra që kanë ardhur në ngjitje. Gjithsesi, do të jetë një luftë e hapur deri në fund”.

“Mundësitë e Besës? Për të qenë realist, mundësitë janë minimizuar. Por dua të them se e rëndësishme do të jetë ndeshja e parë. Nëse arrijmë të fitojmë ndeshjen e parë me Egnatian, na hapet rruga, sepse do të ketë dhe një përballje mes Tomorit dhe Pogradecit, që mund të jetë në favorin tonë, gjithmonë nëse arrijmë të fitojmë ndeshjen e parë”.

“Në skuadrën aktuale ka tetë apo nëntë lojtarë që kanë kontrata afatgjata. Kjo është politika e presidentit që të rrisë skuadrën. Besa ka patur gjithmonë objektivin për tu ngjitur, nuk ia ka arritur. Edhe në sezonin e kaluar kishte një skuadër shumë të mirë. Edhe këtë vit mund ta quajmë një sezon që shkoi dëm, por ka krijuar jë grup lojtarësh, që mund të riniset përsëri në sezonin e ardhshëm për të synuar ngjitjen”.