RTSH Sport Live

Besëlidhja, starti i mbarë i sezonit

  • 07/10/2023
  • |
  • Basketboll
Besëlidhja, starti i mbarë i sezonit
Lezhjanët e Afrim Bilalit fitojnë në Durrës ndaj Teutës vendëse 67-90

Besëlidhja e ka nisur me këmbë të mbarë kampionatin në Superligën e meshkujve në basketboll. Pikërisht në “Ramazan Njala” të Durrësit, skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali ka fituar me 23 pikë diferencë, 90-67 ndaj Teutës vendëse. Diferencat janë të dukshme që në periodën e parë, që Besëlidhja e ka fituar 24-16. E barabartë e dyta, 20-20, por në pushim Besëlidhja ka kryesuar 44-36. Mundohet Teuta të ndryshojë rrjedhën e takimit, teksa ka fituar periodën e tretë 22-19 dhe në total 63-58 për Besëlidhjen, e cila vulën e suksesit e ka vënë në periodën e katërt. 27-5 dhe në total 90-67. Në përfundim të takimit për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar kanë ardhur kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, dhe trajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali.

"Ajo që e bëri shkëputjen është diferenca e rosterit, apo e skuadrës. Bëhet fjalë për gjatësinë, ndërsa skuadra jonë ka 7 apo 8 lojtarë, të cilët kanë disi eksperiencë. Pjesa tjetër vijnë nga kampionati i të rinjve dhe nuk kanë eksperiencën e mjaftueshme për të përballuar këto sfida që në javën e parë", shpjegoi në përfundim të ndeshjes Kristi Gorea

 "Fillim padyshim kishim atë ritmin tonë të lojës derisa Teuta arriti të hynte në ritmin e saj të lojës. Dhe ne ramë preh e këtij ndryshimi të formacionit të tyre. Megjithatë ajo që i thash çunave në pushim të lojës është se ne duhet t'i besojmë planit tonë deri në fund. Dhe duke i besuar planit tonë arritëm të bënim këtë, ashtu sikurse bëmë me Tiranën në periodën e katërt në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Basketbollit, kur fituam 27-8", theksoi Afrim Bilali.   

Në ndeshjet e tjera të javës së parë Kamza Basket ka mundur Flamurtarin, 76-45. Vllaznia ka mundur Skënderbeun, 98-47, kurse Elbasani ka mundur në transfertë Partizanin, 78-71. Fieri Basket ishte pushim, ndërsa vajzat e nisin kampionatin javën e ardhshme, atje ku spikat çifti Flamurtari – Tirana.