RTSH Sport Live

Bezhani - Ramës: Ndalo ndërhyrjet politike në KOKSH

  • 16/12/2020
  • |
  • Të tjera
Bezhani - Ramës: Ndalo ndërhyrjet politike në KOKSH
Presidenti aktual i KOKSH-it, ka akuzuar deputetin Fidel Ylli dhe presidentin e Federatës së Volejbollit për shkelje të ligjeve dhe statutit të KOKSH-it

Viron Bezhani i ka dërguar një letër publike Kryeministrit Rama për ngjarjet në Komitetin Olimpik Shqiptar. Presidenti aktual i KOKSH-it, ka akuzuar deputetin Fidel Ylli dhe presidentin e Federatës së Volejbollit për shkelje të ligjeve dhe statutit të KOKSH-it.  Sipas Bezhanit ka një tentativë për rrëmbyer postin e kreut të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe prandaj kërkon ndërhyrjen e kryeministrit Rama. Më poshtë letra e plotë…

I nderuar zoti kryeministër!

Po ju shkruaj nga detyra e presidentit të KOKSH për t’ju paraqitur publikisht një problem të krijuar nga njerëz që përdorin pozicione shtetërore dhe partiake për të shkatërruar ligjshmërinë dhe demokracinë në lëvizjen olimpike në Shqipëri.

Anëtari i KE KOKSH, Erlind Pëllumbi, vëllai i sekretarit organizativ të Partisë Socialiste Arben Pëllumbi dhe deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli, kanë bashkuar forcat me një grupim individësh që janë pranë strukturave qeveritare dhe partiake pranë jush dhe kanë ndërmarrë një aventurë të qartë në shkelje të ligjit dhe statutit të KOKSH për të uzurpuar postin e presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.

Prej gati dy vitesh, kam konstatuar shkelje të rënda të funksionimit financiar, ligjor dhe statutor në KOKSH dhe i kam denoncuar dhe jam përpjekur t’i pengoj ato. Për fat të keq, në këto përpjekje të miat publike, nuk kam pasur mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, përkundrazi, funksionarë të saj kanë qenë pjesë aktive e këtij grupimi individësh që po shkelin çdo parim dhe normë për të uzurpuar KOKSH.

KOKSH prej vitesh është përfshirë në një aktivitet të qartë të paligjshëm. Kjo ka ndodhur edhe kur unë kam qenë në drejtim por, në asnjë rast, nuk ka ndodhur me bashkëpunimin tim të ndërgjegjshëm dhe përfitues. Për besimin e tepruar dhe mungesën e vigjilencës, kam qenë dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësitë që më takojnë. Këto shkelje ligjore dhe statutore kanë vazhduar të ndodhin edhe kur unë i kam kundërshtuar me të vetmen mundësi, votën time. Se fundmi edhe gjykata ka pezulluar një nga vendimet që ky grupim ka ndërmarrë, në shkelje të qartë të ligjit.

Po Ju drejtohem publikisht sepse i kam ezauruar të gjitha mundësitë në institucionet qeveritare nën juridiksionin tuaj. Do ta vazhdoj luftën time në gjykata dhe nuk do të tërhiqem deri në fund për të vënë para përgjegjësisë penale abuzuesit që kanë emra konkretë.

Por, shpresoj që kjo letër t’Ju sensibilizoj që të bëheni pengesë ndaj përpjekjeve që ky grupim, nën juridiksionin tuaj, po bën për të mbuluar abuzimet e bëra në KOKSH, duke shkelur ligjin dhe statutin. Ju sugjeroj që të kërkoni një auditim serioz të kësaj organizate në të gjitha elementët e funksionit të saj. Duke besuar në përkushtimin dhe impenjimin tuaj,

Me shumë respekt, Viron Bezhani.