Drejtori i Ferrarit, Mattia Binotto, beson se të mësuarit nga gabimet e strategjisë së Çmimit të Madh të Monakos "do t’i bëjë më të fortë" dhe zotohet se dy makinat e kuqe do të rikthehen në Baku. "Ndonjëherë mund të ndodhin gabime, por ka pasur shumë gabime në përgjithësi," tha Leclerc tepër i mërzitur pas garës në Monako, teksa i humbi mundësia për të fituar garën e shtëpisë për gabimet strategjike të skuadrës së tij. Por për të qetësuar situatën e nderë të krijuar në bokset e skuadrës së kuqe, shefi i ekipit Binotto beson se Ferrari do të mësojë nga gabimet e tij dhe do të luftojnë përsëri për fitore, diçka që nuk kishte mundur ta bënte gjatë viteve të fundit.
"Jam shumë i sigurt se këto situata do të na bëjnë më të fortë," - tha Binotto. “Ne jemi mjaft të vetëdijshëm, se të qenit konkurrues është një fakt dhe fitorja është një detyrë tjetër. Kjo është një nivel tjetër vështirësie. Unë mendoj se si ekip, ne ende jemi duke përparuar, duke mësuar dhe ndoshta do të na duhet pak më shumë kohë për të qenë fitues.”
Kjo është fitorja e dytë e humbur radhazi për Leclerc dhe Ferrarin, pasi piloti nga Monako u tërhoq nga gara e Spanjës, për shkak të problemeve të njësisë së fuqisë, edhe pse ishte në krye të garës. “Sigurisht, është një zhgënjim, kur ke makinën më të shpejtë, arrin pole dhe nuk fiton garën, - shtoi Binotto. - Është disi një zhgënjim. Por kështu e ka jeta. Ju siguroj se do kthehemi më të fortë”.