Botërori i këtij viti është i pari që zhvillohet në një vend mysliman me kontrolle të rrepta mbi alkoolin, duke paraqitur sfida unike për organizatorët e një ngjarjeje që shpesh lidhet me adhuruesit e pirjes së birrës dhe kryesisht sponsorizuar nga markat globale të prodhimit të saj. Burime pranë organizatorëve të Botërorit “Katar 2022”, u shprehën për AFP: "Alkooli nuk do të shërbehet brenda stadiumit, ndërsa tifozët do të lejohen të pinë birrë para hyrjes në impiant dhe kur largohen prej tij”. Në vitin 2014, Brazili u detyrua të hiqte ndalimin e alkoolit pas presionit nga FIFA për të qetësuar sponsorët kryesorë.
Pirja e alkoolit në vende publike dhe dehja po në publik janë të paligjshme në Katar. Fansat që pinë shumë përballen me ndjekje penale dhe burgim. Tifozët në Botërorin e nëntorit do të mund të blejnë birrë gjatë periudhave të kufizuara në pjesë të caktuara të zonës kryesore të tifozëve të FIFA-s në parkun Al Bidda në Doha, kryeqyteti i Katarit. “Ndryshe nga zonat e mëparshme të kushtëzuara tifozëve të botërorit, birra nuk do të shërbehet gjatë gjithë ditës, por në kohë të kufizuara” – shtoi më tej burimi për AFP.
Vizitorëve u ndalohet të transportojnë alkool në Katar, madje edhe nga aeroporti pa doganë. Ata nuk mund të blejnë alkool as në dyqanin e vetëm të pijeve në vend, në periferi të Dohas, ku banorët e huaj me leje mund të blejnë për konsum shtëpiak. Alkooli mund të blihet nga vizitorët në Katar në një sërë hotelesh dhe klubesh të licencuara, ku një litër birrë mund të kushtojë 15 £. Ndërsa çmimi i birrës brenda zonave të tifozëve dhe afër stadiumit ende nuk është përcaktuar.