RTSH Sport Live

Botërori i boksit, Shqipëria mëson kundërshtarët

  • 25/10/2021
  • |
  • Të tjera
Botërori i boksit, Shqipëria mëson kundërshtarët
Alban Beqiri, Nelson Hysa dhe Indrid Laçi njohin fatin e shortit, synohet paraqitja dinjitoze

Shqipëria e “dorezave” tanimë është gati për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, i cili do të zhvillohet në Beograd të Serbisë. Kuqezinjtë, nën drejtimin e Zef Gjonit dhe Renato Kurti, kanë gati tre ditë që gjenden në kryeqytetin serb, ndërsa të dielën kanë mësuar dhe shortin. Në ring për Shqipërinë do të ngjiten Alban Beqiri në peshën 67-71 kilogram, Indrid Laçi në peshën 86-92 kilogram dhe Nelson Hysa në peshën +92 kilogram.

I pari që do të ngjitet në ring është Alban Beqiri, që më 27 tetor do të vihet përballë kenianit Maina. Më pas më 28 tetor është radha e Nelson Hysës, që raundin e parë e ka kaluar pa kundërshtar, ndërsa në të dytin do të ndeshet me boksierin nga Trinidad Tabago, Pol. Dhe i fundit është Indrid Laçi, që me 29 tetor do të presë fituesin e çiftit Uilliams (Angli) – Rahmov (Azerbajxhan), teksa raundin e parë e ka kaluar pa kundërshtar.

Në përgjithësi një situatë e qetë tek kuqezinjtë, të cilët vijojnë përgatitjet, ndërsa janë në kërkim të një paraqitje dinjitoze, pse jo dhe deri në zonën e medaljeve. Ndërkohë vazhdon saga e delegacionit kosovar, që prej tre ditësh vijon të refuzohet sistematikisht nga Serbia, edhe pse janë lajmëruar të gjitha instancat ndërkombëtare për këtë refuzim pjesëmarrje në Botëror.