RTSH Sport Live

Botërori i femrave U-20, mbyllen takimet e para

  • 12/08/2022
  • |
  • Futboll Bota
Botërori i femrave U-20, mbyllen takimet e para
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia tregojnë forcën e tyre ndaj Ganës e Holandës

Kampionati Botëror i moshës deri në 20 vjeç për femra, që është duke u zhvilluar në Kosta Rika dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka mbyllur ditën e dytë. Tashmë janë kompletuar ndeshjet në të katërt grupet, ndërsa e premtja është pushim për të rinisur të shtunën ciklin e dytë të takimeve. Ajo që duhet kujtuar është fakti se dy të parat e çdo grupi kalojnë në raundin çerekfinal.

Ditën e dytë e ka hapur skuadra amerikane me atë fitore të thellë 3-0 ndaj Ganës. E ka hapur serinë e golave kapitenja Kuper në të 11’. Thellon Tomson në të 38’ dhe vulos suksesin Setnor në të 51’. Në këtë ndeshje është marrë dhe kartoni i parë i kuq në këtë Botëror, që i ka takuar Ovusus së Ganës. Në total janë 21 kartona të verdhë në 8 ndeshje me një mesatare 2.625 për ndeshje, sikurse janë shënuar 14 gola në po kaq takime me një mesatare 1.75 gola për lojë.

Duke vijuar më tej, po në grupin D, kampionia e Botës në fuqi, Japonia, ka mundur Holandë 1-0, kjo falë golit të Jamamotos në të 23’. Grupi C ka shtuar surprizat në këtë Botëror, sepse Nigeria ka thyer Francën me golin e Sabastines në të 85’ dhe Koreja e Jugut ka bërë të njëjtën gjë me Kanadanë. Autogol i Kurtnall në të 53’ dhe ka thelluar Mon Hae-Jeon në të 62’.

Të shtunën, gjithnjë në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, do të vijnë në transmetim Gjermani – Zelandë e Re, Brazil – Australi, Meksikë – Kolumbi dhe Kosta Rika –Spanjë, kurse Botërori i moshës deri në 20 vjeç për femra vijon të dhurojë emocione.