RTSH Sport Live

Botërori i femrave U-20, të tjera surpriza

  • 11/08/2022
  • |
  • Futboll Bota
Botërori i femrave U-20, të tjera surpriza
Australia frenon skuadrën pritëse të Kosta Rikas në atë fitore 3-1

Kampionati Botëror i moshës deri në 20 vjeç për femra, që është duke u zhvilluar në Kosta Rika e që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka luajtur dhe tre ndeshje të tjera për të plotësuar ditën e parë të aktivitetit. Kështu në grupin B, Zelanda e Re dhe Meksika janë ndarë në barazim 1-1, që është vendosur që në pjesën e parë. Më parë ka shënuar Visnievski në të 30’ për Zelandën e Re dhe më pas ka barazuar në fundin e pjesës së parë Vaskez.

Në barazim pa gola, kjo në orët e para të mëngjesit me orën e Shqipërisë, është ndarë Spanja e Brazili në ndeshjen e vlefshme për grupin A. Por ndërkohë një tjetër surprizë mund të konsiderohet fitorja me përmbysje e Australisë ndaj skuadrës vendëse të Kosta Rikas. Kosta Rika ka kaluar e para në avantazh me anë të Pinell. Por brenda një minute, Australia shënon dy herë. Më parë Hanter nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas Henri. E për të vulosur suksesin e Australisë në pjesën e dytë ka ardhur dhe goli i Fenton.

Dita e dytë në kalendar ka ndeshjet Ganë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni – Holandë, Francë – Nigeri dhe Kanada – Koreja e Jugut. Kampionati Botëror i femrave për moshën deri në 20 vjeç përfundon më 28 gusht.