RTSH Sport Live

Botërori i Femrave U-20, tjetër ekskluzivitet i RTSH

  • 10/08/2022
  • |
  • Futboll Bota
Botërori i Femrave U-20, tjetër ekskluzivitet i RTSH
Gjermani – Kolumbi në ora 19:00 ngre siparin e aktivitetit në Kosta Rika

Kampionati Botëror i femrave për moshën deri në 20 vjeç, që nis këtë të mërkurë në Kosta Rika, do të jetë një tjetër ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar. Gjithçka vjen pas transmetimit të Kampionatit Europian për të rritura në Angli, apo për moshën deri në 19 vjeç në Çeki e po kështu për moshën deri në 17 vjeç në Bosnje-Hercegovinë. Ky është edicioni i dhjetë, ndërsa gjithçka ka nisur më 2002-in, atëherë kur cilësohej si Kampionati Botëror i moshës deri në 19 vjeç. Kështu ka vazhduar deri më 2008-ën duke u vendosur nga Federata Botërore e Futbollit si Botërori i moshës deri më 20 vjeç.

Kampionia në fuqi është Japonia, ndërsa janë katër grupe kualifikuese, aty ku dy të parat shkojnë në raundin çerekfinal. Nga 10 gushti deri më 28 gushti, në oraret 19:00, 22:00, 01:00 dhe 04:00, rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar në kanalin e dedikuar sportit do të jetë tërësisht me Botërorin e femrave të moshës deri në 20 vjeç.

E siparin e ngre Gjermani – Kolumbi e vlefshme për grupin B. Në historikun e këtij Botërori, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ato që e kanë fituar më shumë këtë trofe, tre herë. Pas tyre Koreja e Veriut me dy të tilla dhe në fund Japonia me 1. Pra një kampionat i gjithi për t’u shijuar në këtë verë të nxehtë, pa harruar transmetimet e tjera sportive në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.