RTSH Sport Live

Botërori i Futsallës, të tjerë të kualifikuar

  • 19/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Botërori i Futsallës, të tjerë të kualifikuar
Brazili, Republika e Çekisë, Portugalia dhe Maroku kalojnë në raundin e dytë

Brazili, Republika e Çekisë, Portugalia e Maroku i shtohen grupit të skuadrave, që tashmë janë kualifikuar për në raundin e dytë të Kupës së Botës në futbollin e sallës. Një aktivitet që po zhvillohet në Lituani e që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në fakt, Brazili në grupin D vërtetë fitoi me goleadë ndaj Panamasë, 5-1, por hasi në vështirësi. Pasi iu deshën 15 minuta për të gjetur avantazhin me Vinicius Roka dhe vetëm dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë thellon me Gadeian.

Në pjesën e dytë realizon Leonardo e ngushton rezultatin Makenzi. Por atëherë kur Panamaja vendosi të luante me pesë futbollistë, apo ndryshe lojtarin fluturesh, e pësoi. Sepse në harkun kohor të disa sekondave Brazili shënoi dy gola me Artur dhe Pinto dhe në fund 5-1. Po në grupin D, Republika e Çekisë dhe Vietnami u ndanë në barazim 1-1, ndërsa çekët, edhe falë golaverazhit më të mirë, arritën të kalonin në raundin tjetër. Në grupin C llogarit ishin ndryshe, sepse luhej vendi i dytë mes Marokut dhe Tajlandës. Nëse Portugalia fitonte me Marokun dhe Tajlanda fitonte me Ishujt Solomon, atëherë do të shihej golaverazhi që favorizonte marokenët.

Barazimi mes Portugalisë dhe Marokut ishte në favor të marokenëve dhe pikërisht ndodhi kjo e fundit. Maroku kalon në avantazh me Xhouad, ndërsa portugezët në fundin e pjesës së parë përmbysin me Sesilion dhe Tiago Briton. Në pjesën e dytë barazon në 2-2 El Aiane. Më pas edhe një herë kalon në avantazh Portugalia me Bruno Koelho e në fund barazoi Bakali dhe 3-3.

Tajlanda fitoi 9-4 me Ishujt Solomon e kësisoj shpreson që nëpërmjet vendit të tretë të jetë në raundin e dytë. E hëna shënon fundin e ndeshjeve në grup, ndërsa luhet grupi E dhe F. E pikërisht në RTSH 3 dhe RTSH Plus do të vijnë: Japoni – Paraguaj, Spanjë – Angola, SHBA – Serbi dhe Iran – Argjentinë me të tjera emocione në gara.