RTSH Sport Live

Botërori i Klubeve, përvijohen betejat në Katar, nis më 4 e mbyllet më 11 shkurt

  • 20/01/2021
  • |
  • Evente Sportive
Botërori i Klubeve, përvijohen betejat në Katar, nis më 4 e mbyllet më 11 shkurt
Kampionati Botëror i Futbollit për Klubet, një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar

Hidhet shorti, të gjitha ndeshjet vijnë drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Kampionati Botëror i Futbollit për Klubet, një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, tanimë ka përvijuar edhe betejat e tij me hedhjen e shortit. Siç dihet, kjo veprimtari do të zhvillohet në Katar, vendin që në fund të vitit të ardhshëm do të mirëpresë edhe Botërorin e madh.

Për këtë arsye, Botërori i Klubeve, që do zhvillohet nga data 4, deri më 7 shkurt 2021, është edhe një lloj sprove, ndonëse në një shkallë më modeste, edhe për vendin organizator. Shorti i kësaj veprimtarie, që vë përballë klubet “kampione” të çdo kontinenti, por edhe kampionen e vendit organizator, në këtë rast Katarit, u hodh të martën në Zyrih të Zvicrës, në “Shtëpinë e FIFA-s”.

Pas tërheqjes, për shkak të situatës me virusin korona, të kampiones së Oqeanisë, neozelandezëve të Oklend Sitit,  kanë mbetur vetëm 6 skuadra në lojë, teksa skuadra vendase, El-Duhaili, kalon në turin tjetër, atë të çerekfinaleve. Kështu, gjithçka nis më 4 shkurt, me duelin e orës 15:00, me orën e Tiranës, midis Tigresit dhe Ulsan Hjundait, që do të luhet në Stadiumin “Ahmad Bin Ali”.

Ndërsa në mbrëmje, duke nisur nga ora 18:30, luhet dueli tjetër çerekfinale midis El-Duhailit dhe El-Asrit. Fituesja e çiftit të parë, Tigres-Ulsan, do të përballet më 7 shkurt në gjysmëfinale fituesen e Kupës “Libertadores”, që do të njihet nga finalja e 30 janarit midis Palmeirasit dhe Santosit. Ndërkaq, fituesja e çiftit El-Duhail-El-Asri, do të përballet më 8 shkurt me kampionen e Evropës, Bajernin e Mynihut. Finalja e madhe luhet më 11 shkurt 2021, duke nisur nga ora 19:00, në stadiumin “Education City”.