RTSH Sport Live

Brazil-Argjentinë do të riluhet

  • 10/05/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Brazil-Argjentinë do të riluhet
Komiteti i Apelit të FIFA-s vendos përsëritjen e takimit të ndërprerë të shtatorit

Ndeshja e ndërprerë midis Brazilit dhe Argjentinës do të riluhet, ka vendosur FIFA. Komiteti i Apelit pranë organizmit që qeveris futbollin botëror ka vendosur të hënën që ndeshja midis dy gjigandeve amerikanolatine të rilahet, pasi ka marrë në shqyrtim apelimet e bëra nga federatat e futbollit të të dy vendeve. Ndeshja eliminatore e shtatorit të vitit të shkuar, u shty vetëm pak minuta pasi kishte nisur, kur zyrtarët shëndetësorë të Brazilit u futën në fushë për t’i ndalur lojtarët e Argjentinës që luanin në Angli, me pretendimin që kishin shkelur rregullat e karantinës së “Covid-19”.

Të dyja skuadrat janë kualifikuar sidoqoftë për në Botërorin e këtij fundviti në Katar, me Brazilin që siguroi vendin e parë të renditjes së grupit të Amerikës së Jugut dhe me Argjentinën që u rendit e dyta. Por FIFA pati vendosur në shkurt të këtij viti, që ndeshja duhet të riluhet. “Pasi analizoi provat e paraqitura nga të dyja palët, dhe duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat e çështjes, Komiteti i Apelit ka konfirmuar se ndeshja do të luhet përsëri”, - bëri të ditur FIFA në një deklaratë të shkurtër, ku thuhej se mbetej në fuqi gjoba prej 50,000 frangash zvicerane (50,322 $) që iu vendos të dyja federatave pas braktisjes së ndeshjes së shtatorit.

FIFA e ka gjobitur gjithashtu Federatën Braziliane të Futbollit dhe atë Argjentinase me nga përkatësisht 500,000 dhe 200,000 franga zvicerane, për dështimin e tyre në garantimin e rregullit dhe sigurisë. Por Komiteti i Apelit bëri të ditur se kishte vendosur reduktimin e këtyre gjobave në përkatësisht 250,000 dhe 100,000 franga zvicerane. Muajin e shkuar, Federata Argjentinase e Futbollit deklaroi se do ta çonte çështjen në Gjykatën e Arbitratazhit Sportiv. Interesant është fakti se Brazili dhe Argjentina kanë planifikuar edhe një ndeshje miqësore në qershor të këtij viti në Melburn të Australisë.