RTSH Sport Live

Brazili dhe Argjentina, gjysmëfinaliste

  • 26/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Brazili dhe Argjentina, gjysmëfinaliste
Rodrigo shpëton nderin e pesë herë kampionëve të botës, bardhekaltrit i falen penalltive

Brazil – Argjentinë. Kjo është gjysmëfinalja e parë e Kampionatit Botëror të Futbollit të Sallës, që është duke u zhvilluar në Lituani e që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një finale e parakoshme kjo gjysmëfinale mes tyre, por që janë kualifikuar për në këtë raund mes drithërimash. Për Brazilin ka mjaftuar goli i Rodrigos në të 11’ në duelin ndaj Marokut për të kaluar në gjysmëfinale, ndërsa pesë herë kampionët e Botës e kanë ruajtur me fanatizëm atje.

Ndërkohë të tjera emocione në duelin mes Rusisë dhe Argjentinës. Emocione, por dhe tensione, ndërsa pjesa e parë është mbyllur 0-0. Në pjesën e dytë në të 25’ kalon në avantazh Argjentina me anë të Kuzolinos. Por pesë minuta nga fundi ka barazuar Antoshkin dhe ndeshja ka shkuar në kohën shtesë.

 Në të 44’, Rusia ka humbur dhe penallti, sepse gjuajtjen e Asadov e ka pritur Sarmiento. Përtej përpjekjeve të të dy ekipeve, penalltitë kanë ndarë fatin e ndeshjes. Sarmiento e Farah janë heronjtë e Argjentinës, e cila ka fituar 5-4 dhe është gjysmëfinaliste. Për Rusinë shënoi Robinjo, Eder Lima, Antoshkin dhe Asadov, kurse për Argjentinën, Bolo Alemani, Bazile, Edelstein, Klaudino dhe Taborda.

E hëna është për dy ndeshjet e fundit të raundit çerekfinal të Kampionatit Botëror të Futbollit të Sallës. Në ora 16:30 Spanjë – Portugali dhe në ora 19:00 Iran – Kazakistan. I gjithë aktiviteti përfundon më 3 tetor, atje ku pritet të dalë emri i ri i kampiones së botës në futbollin e sallës.