RTSH Sport Live

Brazili pa Kasemiron, vjen Dagllas Luis

  • 06/10/2021
  • |
  • Boterori Katar 2022
Brazili pa Kasemiron, vjen Dagllas Luis
Futbollisti i Real Madrid i infektuar në dhëmballën e pjekurisë, i pamundur për stërvitje

Kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022” në zonën e Amerikës së Jugut, apo të Konmebol, do të jenë të pranishme përsëri në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Paraguaj – Argjentinë dhe Venezuelë – Brazil do të jenë në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar të premten në mëngjes. Por tek Brazili ka probleme, ndërsa kryesuesit e zonës së Amerikës së Jugut me 24 pikë pas 8 ndeshjes do të duhet të bëjnë pa një prej pjesëve më të rëndësishme të skuadrës, Kasemiron.

Mesfushori nuk do të marrë pjesë në sfidat që Brazili do të zhvillojë këto ditë ndaj Venezuelës, Kolumbisë dhe Uruguajit për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Motivi është sa i çuditshëm, aq edhe ndoshta normal. Futbollisti i Real Madrid, në fakt, është me dhembje dhëmballë të pjekurisë që praktikisht nuk e ka lënë rehat.

Në faqen e internetit të Federatës së Futbollit të Brazilit është e mundur të lexohen motivet që e kanë detyruar trajnerin e kombëtares Tite që të heqi dorë nga Kasemiro dhe të thërrasë në vendin e tij Dagllas Luis:

 “Kemi qenë në kontakt me Real Madrid dhe lojtarin. Kemi marrë nga klubi diagnostikimet dhe raportin e mjekut që tregojnë një proces infektimi në dhëmballën e pjekurisë me sugjerimin për pushim absolut dhe pamundësinë e stërvitjes në pesë ditët e ardhshme”, ka thënë Rodrigo Lasmar, mjeku i skuadrës braziliane.

Të paktën, shumë bezdi në dhëmb për Kasemiron që do të qëndrojë pra në Spanjë dhe do të pushojë dhe më pas do të rinisë aktivitetin në fushë në klubin e Madridit.