RTSH Sport Live

Briken Calja bëhet gati: Erdhi dita, kam shumë vite që e pres

  • 27/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
Briken Calja bëhet gati: Erdhi dita, kam shumë vite që e pres
Peshëngritësi kuqezi do të garojë nesër në mesditë në Lojërat Olimpike, “Tokio 2020”

Briken Calja do të ngjitet nesër në mesditë në skenën e Lojërave Olimpike, ku do të garojë në peshën 73 kilogram në peshëngritje. Nga 9 kuqezinjtë pjesëmarrës në këtë eveniment, Calja që në fillim është shfaqur si i vetmi që mund të pretendojë medalje. Në një postim të publikuar në Facebook, peshëngritësi kuqezi ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve dhe premton maksimumin.

Postimi i peshëngritësit:

Erdhi dita që kam shumë vite që e pres! Nesër në orën 12:45 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Olimpiadën e Tokio 2020 ku do të garoj në peshën deri në 73 kg.

Jam jashtëzakonisht i qartë dhe i palëkundur në mendje se çfarë kërkoj nga kjo sfidë.

Ndjej se pas vetes sime kam miliona zemra kuq e zi që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime më e madhe dhe për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë.

Kam marrë qindra mesazhe nga shqiptarë anë mbanë botës këto ditë dhe akoma më shumë më shtohet besimi dhe forca drejt një suksesi në këtë garë.

Shihemi nesër dhe me besimin në Zot me vete shpresojmë që të kapim një rezultat historik!