RTSH Sport Live

Briken Calja, i dyti në Baterinë B

  • 11/09/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Briken Calja, i dyti në Baterinë B
337 kilogram në dygarësh për shtërmenasin, Qerimaj konkurron në Baterinë A

Briken Calja renditet i dyti në Baterinë B të peshës deri në 81 kilogram në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur, që është duke u zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite.

Në shkëputje e ka nisur me 150 kilogram, të cilën në provën e parë nuk e ka realizuar. Megjithatë është i suksesshëm në provën e dytë, veçse nuk arrin dot të realizojë në provën e tretë 154 kilogram. E kur të tjerët kanë mbetur tek 148 kilogram e më poshtë, atëherë Calja është i dyti në stilin e shkëputjes.

Kishte deklaruar 186 kilogram në provën e parë në stilin e shtytjes. Por vendos ta nisë me 182 kilogram, që e realizon me sukses. 187 kilogram në të dytën dhe në të tretën nuk arrin të realizojë 191 kilogram. Megjithatë i dyti në stilin e shtytjes dhe me 337 kilogram në dygarësh është i dyti dhe në përfundim të Baterisë B. Në stilin e shtytjes rezultatin më të mirë e dha indoneziani Al Humaid, i cili në provën e tretë ka ngritur 209 kilogram, që mund ta çojë dhe në podiumin e medaljeve.

Gjithsesi paraqitja e Caljes ishte e mirë, ndërsa në Baterinë A të peshës deri në 81 kilogram do të jetë në pedanë Erkand Qerimaj. Ky kampionat Botëror vlen dhe për t’u kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.