RTSH Sport Live

Briken Calja, kandidat për çmimin e vyer kontinental

  • 17/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Briken Calja, kandidat për çmimin e vyer kontinental
Sportisti shqiptar, një nga 10 të përzgjedhurit për “Peshëngritësit Evropian të Vitit 2021”

Sportisti shqiptar, Briken Calja, është përzgjedhur si një nga 10 kandidatët për çmimin prestigjioz të “Peshëngritësit Evropian të Vitit 2021”. Organizmi që qeveris shtangën kontinentale, EWF ka bërë të ditur se ka hapur votimin për këtë çmim, si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Ky votim do të jetë i hapur për 4 ditë, deri më 21 maj në mesditë, kur do të shpallen edhe fituesit e këtij çmimi të vyer kontinental.

Lista prej 10 kandidatësh, e përpiluar dhe e miratuar nga Bordi Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, EËF, përfshin shtangistët më të spikatur të kontinentit, të tillë si Stefan Bartolomiej Adamus, armeni Simon Martirosjan, gjermani Niko Myler, bullgari Karlos Nasar, italianët Antonino Picolato dhe Mirko Zani, letonezi Arturs Plesnieks, moldavi Marin Robu apo gjeorgjiani Lasha Talazhadze.

Votuesit kanë mundësi të zgjedhin vetëm një kandidat, për femra dhe meshkuj, dhe fituesit do të shpallen në ceremoninë e hapjes së Edicionit të 100-të të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes, që do të mbahet në Tiranë, më 27 maj 2022. Peshëngritësi kuqezi ishte shumë pranë medaljes së parë olimpike të Shqipërisë në Lojërat e vitit të shkuar në Tokio, ndërsa rrëmbeu edhe dy medalje në Evropianin e vitit të shkuar, ndërsa mbetet edhe kampion absolut në veprimtaritë kombëtare.