RTSH Sport Live

Briken Calja, medaljet e pastra

  • 30/12/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Briken Calja, medaljet e pastra
Konfirmohen totalisht negative analizat antidoping në Botërorin e Tashkentit

Briken Calja, kampioni i Botës në stilin e shkëputjes dhe nënkampioni i Botës në stilin e shtytjes dhe në dygarësh më 10 dhjetor në Tashkent, tanimë është i konfirmuar zyrtarisht fituesi i këtyre medaljeve. Të paktën edhe sipas njoftimit që vetë peshëngritësi ka bërë të enjten në mesditë, analizat antidoping të kryera menjëhera pas garës në Kampionatin Botëror kanë rezultuar negative. “Një lajm i mirë mbërriti këtë mëngjes, testet antidoping dolën negative duke treguar pastertinë dhe vërtetësinë e medaljeve historike të Botërorit të fundit. Jam jashtëzakonisht i lumtur që medaljet e arit dhe të argjendit certifikohen si të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe personalisht të miat. Zyrtarisht Kampion Bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje dhe dygarësh”.

Calja ishte Kampion Bote në stilin e shkëputjes me 156 kilogram, nënkampion Bote në stilin e shtytjes me 186 kilogram dhe nënkampion bote në dygarësh me 342 kilogram. E për të tria këto medalje, Calja do të meritojë dhe shpërblimet financiare, që tashmë kanë ndryshuar me vendimin e fundit të Qeverisë. Që do të thotë se shpërblehet edhe për stilin e shkëputjes, edhe të shtytjes, por dhe për dygarëshin. Në gusht, Calja ishte i katërti në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, pa harruar që ishte nënkampion Europe në stilin e shtytjes 186 kilogram dhe në dygarësh vendi i tretë me 336 kilogram. Ndërkohë që gjatë Botërorit të Peshëngritjes, Qerimajt ishte i katërti në dygarësh me 333 kilogram, sikurse dhe Veli e katërta në shkëputje në peshën 55 kilogram, që zbukuruan medaljet e Caljes, të cilat me analizat e plota antidoping janë totalisht të pastra.