RTSH Sport Live

Briken Calja, për medalje në Botëror

  • 04/12/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Briken Calja, për medalje në Botëror
Shtangisti i peshës 73 kilogram kërkon që të jetë surpriza e kampionatit në Uzbekistan

Briken Calja, vendi i katërt në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, tanimë është përpara një tjetër aktiviteti të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror të Uzbekistanit, ndërsa Calja, në peshën 73 kilogram, do të ngjitet në pedanë më 13 dhjetor. Çfarë duhet të presim nga medalisti i shumëfishtë i peshëngritjes shqiptare?

“Pres një rezultat të mirë, sepse do jetë vetë stërvitja dhe përgatitja. Kam kaluar një periudhë të mirë, shpresoj të thyej akullin e këtij viti, të ngjitem për medalje”, ka theksuar peshëngritësi.

Calja, ndoshta për modesti, por dhe për t’u ruajtur nga kundërshtarët e tij nuk pranon t’i deklarojë që tani se si do ta nisi garën në Tashkent në stilin e shkëputjes dhe të shtytjes.

“Do e lëmë surprizë, sepse gara është garë dhe e leme aty që të japim më të mirën dhe të zbulojmë rezultatin”

I njeh kundërshtarët, veçse kërkon të jetë ai surpriza e këtij Botërori.

“Normalisht është një Kampionat Botëror, shumë i fortë. Ka të papritura, ka surpriza, shpresoj që të jemë unë një surprizë, të arrij medaljen”.

Jo vetëm medalje, por edhe... “Synimi është medalja dhe rekordi europian”.

Tanimë është në një moshë që ka dhe impenjime të tjera, jo vetëm shtangë. Çfarë bën jashtë shtangës Calja, ndonëse i mungojnë orët e qëndrimit të gjatë me familje. E thënë ndryshe duket sikur është borxhli ndaj tyre për shkak të asaj shtange që i sjell medalje gjithë Shqipërisë.

“Normalisht kaloj kohë dhe me familjen, kam dhe një djalë të vogël. Një pjesë të kohës ia kushtoj djalit, sepse dhe ai ka nevojë për vëmendjen time”.

E për rrjedhojë, falënderimet jo vetëm për atë që do të marrë në Tashkent, por dhe për kohë të mëparshme i ka pafund.

“Gjithçka i dedikohet familjes, njerëzve që unë kam punuar, stafit. Pa diskutim që është dhe Federata e Peshëngritjes, promotori, Komiteti Olimpik, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme, është edhe Bashkia e Tiranës”, ka deklaruar Calja.