RTSH Sport Live

Briken Calja shuan debatet për trajnerin

  • 29/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
Briken Calja shuan debatet për trajnerin
“Nuk është vendin për këtë pyetje. Ishte zgjedhja ime dhe t’i gëzohemi rezultatit”

Briken Calja është krenaria e peshëngritjes shqiptare. E për më tepër i sportit shqiptar, ndërsa zuri vendin e katërt në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” me 341 kilogram në dygarësh. Me apo pa trajner Briken Calja, ndërsa në garë është udhëhequr nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe ai i Peshëngritjes, Elez Gjoza. E Calja shuan çdo diskutim për këtë temë, sepse për RTSH Sport ka konfirmuar që është zgjedhja e tij.

“Kjo ka qënë një dëshirë e imja, të jeni të sigurtë që askush nuk është i plotfuqishëm që të vendosë. Të gjitha vendimet janë të miat. Është dëshira ime, askush nuk ka të drejtë të ngrejë pretendime”.

A u gabua në strategji, teksa u nis gara me 151 kilogram në shkëputje e më pas gjërat u vështirësuan? Calja e ka një përgjigje, sikurse ka gjetur rastin jo vetëm të falënderoj, por dhe të bëjë thirrje për më tepër mbështetje

“Ishte një gabim i imi personal, i pafalshëm, nga mënyra se si bëra nxehjen. Por ne jemi njerë mbi të gjitha, gabojmë normalisht, por tani gjithçka ka kaluar dhe kemi marrë rezultatin më të mirë. Shpresoj që të jetë një reagim për aktivitetin pasardhës”.

Vendi i katërt në dygarësh me 341 kilogram është rezultat historik për sportin shqiptar. Këtë ka konfirmuar i pari i peshëngritjes shqiptare, Elez Gjoza

“Kjo është një arritje historike për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, me një nga sportistët më të mirë që ka prodhuar Shqipëria, me dygarëshin dhe vendin e katërt, që nuk është arritur asnjëherë më parë. Për një kilogram humbi një medalje”.

Dhe në fund i pari i peshëngritjes është i bindur se dhe më 2024-ën në Paris rezultate të larta do të vijnë nga shtanga shqiptare, përsëri me Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn.

“Ky është vetëm fillimi, një fillim i mbarë nga Brikeni, pas dy ditësh do të jetë dhe Erkandi. Në 2024, me faqen e re që është hapur në Komitetin Olimpik, ku gjej momentin ta falenderoj, pasi na janë plotësuar të gjitha interest që kemi pas në masën 100%”.

Tanimë peshëngritja përgatitet për një tjetër garë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që është më 31 korrik, Erkand Qerimaj në peshën 81 kilogram.