RTSH Sport Live

Broja në konferencë: Krenar që jam nga Shqipëria

  • 01/11/2022
  • |
  • Futboll Bota
Broja në konferencë: Krenar që jam nga Shqipëria
Sulmuesi kuqezi në konferencë për shtyp përpara ndeshjes Champions me Dinamo Zagreb

Armando Broja është shfaqur në konferencë për shtyp në prag të sfidës Champions me Dinamo Zagreb. Sulmuesi kuqezi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke prekur shumë tema: kryesisht për sfidën e nesërme në Champions League,  por dhe për zërat e merkatos që qarkulluan gjatë verës apo për origjinën e tij.

“Të gjithë e dinë se Chelsea është një nga klubet më të mira në botë. Do të jetë gjithmonë e vështirë të futesh në ekip dhe të performosh. Mundësitë dhe shanset që marr, do të përpiqem t'i shfrytëzoj dhe në stërvitje për të treguar se çfarë mund të bëj. Në fund të fundit, do të jetë gjithmonë e vështirë. Nuk do të jetë e lehtë, por unë përpiqem ta kapërcej. Më pëlqen të luaj futboll, kështu që kur menaxheri më beson që të dal në fushë për të ndikuar, unë përpiqem të bëj më të mirën, për të ndihmuar ekipin me  gol, asistim apo lojë të mirë”.

Qëndrimi te Chelsea gjatë verës mes bisedave për largim

"Gjithmonë flitet në media. Unë gjithmonë jam përpjekur të jem gati për sezonin. Nuk isha shumë i shqetësuar për atë që po ndodhte jashtë."

Nënshkrimi i marrëveshjes afatgjatë

"E shoh atë si një mundësi  për mua dhe familjen time. Ky është klubi im i fëmijërisë. Unë dua të vazhdoj të përpiqem të përmirësohem si person dhe lojtar. Nuk ka shumë klube më të mira se Chelsea për të mësuar”.

Përballë Dinamos së Zagrebit

"Çdo ndeshje është po aq e rëndësishme. Nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari. Jemi të fokusuar te vetja, e dimë se do të jetë një lojë e vështirë, ata kanë diçka për të cilën luftojnë(Europa League), por ne jemi të fokusuar tek vetja jonë”.

Të jesh shqiptar

"Jam krenar që jam nga Shqipëria. Të jesh në gjendje të luash për ekipin kombëtar është një nder”.