Pas startit të mbarë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2023 në atë fitore në transfertën e Andorrës, 3-0, kombëtarja e Shqipërisë U-21 përgatitet për një tjetër ndeshje. Këtë herë bëhet fjalë për miqësoren ndaj Bullgarisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Slavian” të Sofjes të martën në ora 18:30. Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U-21, ka falënderuar skuadrën në një intervistë dhënë për fshf.org për shpirtin e lartë të garës që tregoi ndaj Andorrës.
Madje ka falënderuar dhe trajnerin e kombëtares, Edoardo Reja, i cili lejoi grumbullimin e Brojës dhe Mitajn me Shqipërinë U-21. Dhe efekti ishte i menjëhershëm pas fitores 3-0 me golat e Brojës, Mehmetit dhe autogolit të Alvares. I pari i pankinës kuqezi U-21 ka treguar se pret shumë nga lojtarët në miqësoren me Bullgarinë, që është një kundërshtar, i cili i përgjan Republikës së Çekisë me të cilën Shqipëria do të ndeshet në shtator në kuadrin e kualifikueseve të Kampionatit Europian 2023.
Madje kjo miqësore do të jetë dhe një test për të gjithë ato futbollistë, të cilët nuk patën mundësinë e aktivizimit ndaj Andorrës, kurse Shqipëria U-21 në grupin me Anglinë, Slloveninë, Republikën e Çekisë, Kosovën dhe Andorrën, kërkon vendin e dytë për të qenë në finalet e Europian. Pra Bullgaria është një test për të gjithë kuqezinjtë e vegjël.
“Ishte shumë e rëndësishme për ne ndeshja e parë që ta nisnim mbarë. Kishim vështirësi në ndërtimin e skuadrës përpara ndeshjes duke parë se kishim shumë mungesa dhe shumë lojtarë të rinj në ekip. Na ndihmoi disi edhe fakti që e njihnim ekipin e Andorrës sepse kishim luajtur një vit më parë dhe ndërtuam një strategji për ndeshjen.
Unë i kërkova ekipit shumë përqendrim dhe në asnjë moment të mos nënvlerësonim kundërshtarin. Dua ta falenderoj skuadrën për shpirtin e garës që tregoi në fushën e lojës. Në këtë ndeshje ne nuk luajtëm futbollin tonë karakteristik, ku bëjmë më shumë pasime dhe vertikalizime sepse kundërshtari nuk ta lejonte një gjë të tillë, duke parë që qëndron shumë ngushtë dhe kërkon të prishë ҫdo aksion dhe jo të ndërtojë. Përtej kësaj të rëndësishme ishin 3 pikët dhe i morëm ato.
Duhet të përmirësohemi akoma më shumë për të përballuar skuadrat e tjera të grupit, që janë një nivel më lart se Andorra. Shpresoj që në ndeshjen e rradhës, në shtator, të kemi të gjithë grupin dhe të bejmë më të mirën tonë. Në të njëjtën kohë dua të falenderoj edhe trajnerin Reja duke qenë se na lejoi të grumbullojmë Armando Brojan dhe Mario Mitajn”.
Starti i mirë është gjithmonë i rëndësishëm në një fushatë eliminatore, dhe në fund mund të rezultojë vendimtar për objektivat e kuqezinjve. Trajneri Bushi nuk e fsheh se kërkohet vendi i dytë. “Ne i kemi të gjitha mundësitë për të zënë vendin e dytë, kemi lojtarë shumë cilësorë, të cilët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet të kuptojnë mirë rëndësinë e fanellës dhe faktit që të gjithë shqiptarët presin nga ne maksimumin. Për këtë duhet të djersijnë shumë në fushën e lojës, duhet të sakrifikojnë dhe të përkushtohen në maksimum për fanellën. Nëse ata e bëjnë këtë në çdo ndeshje, ne do të arrijmë shumë lart në këto eliminatore”.
Në fund trajneri i 21 vjeçarëve kuqezi ndalet edhe te gjendja e grupit dhe miqësorja me Bullgarinë. “Në prag të kësaj ndeshjeje jemi në një situatë jo dhe aq të mirë përsa i përket grupit të lojtarëve që kemi, duke parë dëmtimet dhe largimet. Ndeshja e nesërme me Bullgarinë është një test shumë i rëndësishëm për ne, duke parë se është një kundërshtar që i përshtatet Ҫekisë, me të cilët luajmë në shtator. Ne duhet të bëjmë mirë, ashtu si gjithmonë, edhe se kemi mungesa ne do t’i japim mundësinë të gjithë lojtarëve të tjerë që nuk luajtën në Andorra. Unë pres shumë nga lojtarët nesër”, ka përfunduar rrëfimin e tij Alban Bushi.