RTSH Sport Live

Burreli mbijeton në Kategorinë e Parë

  • 26/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Burreli mbijeton në Kategorinë e Parë
Matjanët fitojnë me përmbysje ndaj Pogradecit, 2-1, dhe suksesi është i ligjshëm

Burreli ka mbijetuar në Kategorinë e Parë, teksa me përmbysje ka mundur 2-1 Pogradecin në ndeshjen që është luajtur në “Egnatia Arena” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në fakt matjanët kanë pretenduar për penallti në të 7’, teksa është penguar Kurbneshi. Për Zirin ishte e atillë, por jo për asistentin, i cili ka kthyer vendimin e kryesorit dhe vetëm goditje dënimi për matjanët. Burreli insiston, veçse Baçi ka vendosur “barrikadë” dhe Pogradeci merr zemër. Fitohet penallti në të 35’, të cilën e shpërdoron Shyti, ndërsa ka pritur Çili. Mirëpo në të 41’ Ciriç me atë gjuajtje nga rreth 20 metra i ka dhënë avantazhin Pogradecit dhe 0-1.

Në pjesën e dytë Burreli ka hyrë me një tjetër mendësi, ndërsa gjen barazimin me anë të njëmbëdhjetëmetërshit, që e ka kthyer në gol Kurbneshi. Gjithçka ndodhi në të 56’. E me përvojë më të madhe të të luajturit në Kategorinë e Parë, Burreli gjen dhe golin e fitores, që ka firmën e Osikel, i cili ka realizuar nga distanca prej rreth 25 metra. Festë tek matjanët, që ashtu si Lushnja, qëndrojnë në Kategorinë e Parë, kurse Pogradeci, së bashku me Valbonën, do të duhet të kalojë dhe një vit në Kategorinë e Dytë.