RTSH Sport Live

Bylis dhe Tirana, barazim i hidhur

  • 02/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Bylis dhe Tirana, barazim i hidhur
Asnjë gol në “Adush Muça” ku bardheblutë kompromentojnë sezonin

Luan vetëm Tirana por pikë merr edhe Bylisi. Barazim që praktikisht vret sezonin e Tiranës dhe fut Bylisin në një situatë aspak të qartë dhe të rrezikshme. Nuk pati gola në Ballsh ku Tirana tregoi dëshirë por jo qartësi në një ndeshje ku arriti të menaxhonte duelin por jo të finalizonte për të dalë me 3 pikë Europe.

Ndeshje që nisi e kujdesshme nga të dyja skuadrat,  por që Shehi dhe të tijtë i kishin objektivat e qarta kjo u duk që në prekjet e para. Miqtë më këmbëngulës ndërsa Bylis sporadik dhe i vendosur për të mos rrezikuar pikën në një duel që në asnjë mënyrë nuk dëshironte ta humbiste dhe kështu ndodhi pasi gjatë gjithë fraksionit të parë ndeshja mori formën e dialogut mes sulmuesve të Tiranës dhe mbrojtjes e portierit të ekipit mallakastriot që u bë protagonist në disa raste vendimtare.

 Portë e mallkuar për Tiranën që nuk arriti të zhbllokonte shifrat dhe u rikthye edhe më nervoze me presionin e minutave që rrihnin si çekan mbi kokën e Shehit, i cili tentoi edhe kartën Kale. Një lëvizje e dëshpëruar për kampionët që e patën të vështirë të kalonin Bylisin duke humbur mes rrëmujës dhe kaosit në zonën e skuadrës së Dovedan.

Përmbledhja më e qartë që simbolizon 90 minutëshin e bardhebluve në Ballsh është moment I fundit i Torrasës, ku argjentinasi me dëshirën për të marrë më të mirën nuk arrin të marrë maksimumin. Barazim që e ngjit përkohësisht në vendin e katërt skuadrën kryeqytetase me shpresën e hapave falsë të Vllaznisë dhe Laçit, ndërsa Bylis tashmë e ndien nga shumë pranë frymëmarrjen e Skënderbeut ndjekës së zonës së ftohte me vetëm 1 pikë diferencë.

KATEGORIA SUPERIORE(JAVA 31)

E diel

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 0-2

Golat: Jean Viktor 67’, K.Vangjeli 90’+5

BYLIS-TIRANA 0-0

E hënë

15:00 LAÇI-KUKËSI

18:00 VLLAZNIA-TEUTA

18:00 PARTIZANI-APOLONIA