Ekip tërësisht i ri me vetëm një përjashtim, sulmuesin Anthony Beji. Bylisi ka punuar i qetë dhe larg zhurmës së merkatos për të ndërtuar dalëngadalë një skuadër që bindi plotësisht në të Parën dhe tashmë duket gati për të bërë një sezon surprizë në Superiore. Trajneri Jeton Beqiri kërkon edhe disa afrime në merkato, por gjithsesi skuadra është aty dhe këtë e tregoi edhe në miqësoren e së dielës kundër Partizanit ku me tepër se me rezultat, bindi me lojë. Vetëm një sezon pas rrëzimit në të Parën, mallakastriotët janë aty, mes 10 më të mirëve duke treguar se tashmë kanë fituar eksperiencën e nevojshme për të ndërtuar skuadra konkurruese.
Haremi, Trumçi, Preka, Damçevski, Lorran, Qoshku, Maçolli, Ruçi, Beji, Fall, dhe Soza zbritën në fushë që nga minuta e parë, ndërsa Kamara, Abazaj dhe Kaçorri konkretizuan me gola ndeshjen pozitive të skuadrës bardhekuqe. Skuadra tregoi përgatitje fizike e ndikuar ndoshta edhe nga fakti që nuk ka marrë ende ngarkesa të plota gjatë muajve të nxehtë siç ka ndodhur me Partizanin. Ndeshjen e parë zyrtare të sezonit Bylis do ta luajë në datën 20 gusht kundër Kastriotit në stadiumin “Adush Muça”.