RTSH Sport Live

Bylisi, Kapllanaj kërkon më shumë: Të rrisim cilësinë

  • 25/10/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Bylisi, Kapllanaj kërkon më shumë: Të rrisim cilësinë
Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH

Bylis vazhdon të dominojë në Kategorinë e Parë, duke mos njohur pengesa, as kur bëhet fjalë për një fushë të vështirë siç është ajo e Burrelit. Presidenti i kësaj skuadre, Besnik Kapllanaj, i pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, ka komentuar ecurinë e deritanishme dhe planet për të ardhmen.

“E prisja një ecuri të tillë për vet faktin se vijmë nga Superiorja dhe duhet të tregojmë veten si të tillë. Dihen vështirësitë në këtë kategori, kjo u pa dhe në sfidën e fundit, atë me Burrelin, ku fituam minimalisht 1-0”.

“Bylis po bën futboll të bukur dhe po mer rezultate, kjo është e rëndësishme. Me Burrelin ishte jo e vështirë, por shumë e vështirë, edhe për fushën ku u luajt. Sa mbaroi pjesa e parë, dy lojtarë kanë kërkuar ndërrim. Në pjesën e parë kishim problem, por më pas u përshtatëm me fushën dhe fituam”.

“Skuadra ka treguar volum loje edhe në Superiore, këtë gjë do të bëjmë edhe në këtë sezon. Ne do të kërkojmë të rrisim më shumë cilësinë, sepse kundërshtarët janë më të dobët se vitin e kaluar”.

“Largimi i Dovedan? Mbaroi kontratën, skuadra ra një kategori më poshtë, mendoj se duhej bërë ky ndryshim. Gjëja më e rëndësishme është që ne arritëm të ruanim grupin. Gjatë merkatos u larguan vetëm dy lojtarë. Sigurisht, asnjë lojtarë mbase nuk ka dëshirë të luajë një kategori më poshtë, por kanë një kontratë dhe duhet respektuar”.

“Objektivi? Të ngjitemi në Superligë, por nuk duhet të lëmë mënjanë dhe aktivizimin e të rinjve. Duhet të nxjerrim lojtarë, të shesim dhe të argëtojmë në klub, se vetëm kështu mund të ecet përpara”.

“80% e lojtarëve të Bylisit kanë patur oferta, më shumë nga skuadrat vendase. Ka patur një ofertë nga jashtë për Prekën, 100 mijë euro dhe 10% të kartonit, nga Lokomotiva e Zagrebit. Beji ka patur më shumë oferta nga të gjithë, por nuk kanë qënë bindëse”.

“Trajneri Beqiri? Mardhëniet janë shumë korrekte, është një trajner që ka punuar te Shkëndija e Tetovës. Ka shumë eksperiencë. Idetë e tij përshtateshin me planet e klubit”.