RTSH Sport Live

Cara shpëton Partizanin nga humbja, 1-1 me Laçin

  • 20/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Cara shpëton Partizanin nga humbja, 1-1 me Laçin
Partizani dhe Laçi kanë barazuar në “Air Albania”, takim i vlefshëm për javën e nëntë të Superiores

Partizani i rikthehet zakonit të vjetër, barazimit  1-1, kësaj radhe me Laçin në “Air Albania”, takim i vlefshëm për javën e nëntë të Abissnet Superiore. Kurbinasit arritën të shënojnë të parët në këtë sfidë, në minutën e 34-ët me anë të Shehut nga pika e penalltisë, ndërsa të kuqtë u përgjigjën me Carën në minutën e 79-të. Një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat që kishin synime të qarta, marrjen e tri pikëve, por në fund janë pajtuar me barazimin.

Sfida nisi e qetë për të dy formacionet, por me kalimin e minutave vështrimi në drejtim të portave respektive u bë më i shpeshtë. Minuta e 32-të e sfidës ka sjellë dhe tension në fushë, me kurbinasit që kërkonin një 11-metërsh, kontakt në zonë i Mustës me Deliun. VAR i ka dhënë të drejtë skuadrës së Laçit, e cila ka fituar të drejtën e goditjes nga pika e bardhë.

Julian Shehu mori përsipër goditjen e 11-metërshit duke mposhtur portierin Teqja, 1-0 për Laçin. Protesta dhe nga të kuqtë disa minuta më vonë, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e VAR për një pretendim të tyre për 11-metërsh, por gjithçka është konsideruar e rregullt. Mundësi nga të dy krahët deri në përfundimin e 45 minutave të para, por rezultati nuk ndryshon.

Partizani e nis pjesën e dytë me ndryshime, duke hedhur në fushën e lojës Kaçen. Ndërsa Zhunior shpërdoron për të kuqtë, Lushkja e ka të pamundur përballë Teqjas të dyfishojë rezultatin . Kurbinasit, në minutën e 70-të të takimit, arrijnë të gjejnë edhe njëherë rrugën e rrjetës me anë të Velkovskit, por që anullohet nga VAR për pozicion jashtë loje.

Pas rasteve të humbura nga Zhunior dhe Kaçe, Partizani arrin të gjejë golin e barazimit në minutën e 79-të me anë të Carës. Një goditje standarte nga distanca e të kuqve ka sjellë rrëmujë në zonën kurbinase ku ka përfituar Cara për të vendosur barazpeshën, 1-1. Partizani mer zemër pas shënimit të golit, por rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund.