Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka pranuar për herë të parë se Kampionati Europian mund të ndryshojë formatin e tij. Sipas modelit aktual, aktiviteti duhet të zhvillohet në 12 vende të ndryshme, por situara e krijuar nga COVID-19 me shumë udhëtime të cilat ndalohen si pasojë e pandemisë, kanë ngritur dyshime se kjo ngjarje mund të zhvillohej si ishte planifikuar normalisht. “Jemi gjithmonë të shqetësuar për situatën me pandeminë, por jemi absolutisht të sigurt që do të zhvillohet Europiani në vitin 2021. Formati do të jetë ekzaktesisht ai që është vendosur. Por gjithashtu mund të them se mund të bëjmë Europianin në 11, 5 apo 1 shtet të vetëm”, shpjegoi ai në një intervistë në Spanjë, duke bërë të qartë kësisoj se do të vlerësohej fillimisht situata në kontinent.
Sa për kthimin e tifozëve në stadium, edhe pse UEFA është e hapur ndaj zhvillimit të ndeshjeve me tifozë, ajo nuk mund të detyrojë qeveritë që të aprovojnë vendimin e saj. “Qeveria e njeh shumë mirë si është situata në Spanjë, ne jo. Ne do të lejojmë kthimin e njerëzve në stadium kur qeveria ta lejojë dhe nëse nuk e lejon, ne nuk mund të bëjmë asgjë”, deklaroi ai.