RTSH Sport Live

Çelsi dorëzohet në fund, Juve rrëmben vendin e parë

  • 08/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
Çelsi dorëzohet në fund, Juve rrëmben vendin e parë
Të besuarit e Alegrit fitojnë falë golit të Kean dhe kalojnë Çelsin në renditje

Misioni i realizuar për Juventusin në Champions League. Me biletën për në 16-she tashmë në xhepat e tyre, në xhiron e fundit të Grupit H, të besuarit e Allegrit mundën 1-0 Malmoen dhe përfituan nga barazimi i Chelseat me Zenitin për të mbyllur grupin në vendin e parë. Një paraqitje e mirë në këtë sfidë nga bardhezinjtë, të cilët arritën të sigurojnë tri pikët falë një goditje me kokë të Kean (18') pas asistimit të përsosur të Bernardeschi.

Ndërkohë, Chelsea nuk ka shkuar më shumë se një barazim 3-3 në transfertën me Zenit, që i ka kushtuar dhe vendin e parë. Blutë e Londrës kaluan të parët në avantazh me anë të Werner që në minutën e 2-të të takimit, por vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e parë me Claudinho 38’ dhe Azmoun 41’. Lukaku 62’ vendosi barazpeshën, ndërsa Werner 85’ krijoi iluzionin e tri pikëve. Por vendasit arritën të barazojnë me anë të Ozdoev 94’ duke i mohuar formacionit anglez vendin e parë.