RTSH Sport Live

Çelsi shumë i fortë për Juven, Barcelona rrezikon

  • 24/11/2021
  • |
  • Futboll Bota
Çelsi shumë i fortë për Juven, Barcelona rrezikon
Luhen 8 takimet e 5-ta të grupeve E, F, G dhe H, shënohen 20 gola

Duke nisur nga ora 21:00 janë luajtur të martën 6 takimet e tjera të vlefshme për ndeshjet e 5-ta të grupeve , F, G dhe H të Ligës së Kampioneve. Kështu, në takimin tjetër të vlefshëm për grupin E, të luajtur më vonë, Barcelona nuk ka shkuar dot më larg se një barazim pa gola në shtëpi përballë Benfikës, duke vënë në rrezik gjasat e saj për kualifikim. Katalanët mbajnë vendin e dytë, me 7 pikë, dy më tepër sesa portugezët, por ndeshen në Gjermani me Bajernin e Mynihut në ndeshjen e fundit, aty ku edhe barazimi mund të mos mjaftojë, ndërsa Benfika pret në shtëpi ukrainasit e Dinamos së Kievit, tashmë të eliminuar.

Ndërkaq, në takimin tjetër të luajtur, të vlefshëm për grupin F, edhe Atalanta nuk ka mundur të shkojë më larg se një barazim 3-3 në Zvicër përballë Jang Bojs të Bernës dhe mbetet në vendin e 3-të të renditjes, me 6 pikë, një më pak sesa Vijareali, me të cilën ndeshet në takimin e fundit, dhe 4 më pak sesa Mançester Junajtid, që është kualifikuar që tani si e para e grupit.

Në grupin G, gjithçka është e hapur, teksa Lila ka mposhtur me një gol të vetëm Salzburgun dhe kryeson renditjen me 8 pikë, një më tepër sesa austriakët, dy më tepër sesa Sevilja dhe 3 më tepër sesa Volfsburgu. Ky i fundit u mund 0-2 në Spanjë nga Sevilja, që siguroi 3 pikët me nga një gol për secilën pjesë loje.

Dhe, së fundi, në grupin H, Çelsi i ka rrëmbyer Juventusit kreun e renditjes, në një ndeshje ku italianëve u mjaftonte edhe barazimi për ta ruajtur atë. Anglezët, kampionë në fuqi të Evropës, kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0, duke u hakmarrë për atë humbje minimale të pësuar në Itali. Në takimin tjetër të grupit, Malmoe dhe Zeniti i Shën Pjetërburgut kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje dhe kanë ndarë nga një pikë secila.