Bylis në krizë të thellë rezultatesh dhe identiteti. Në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit, skuadra ballshiote regjistron 5 humbje dhe vetëm një barazim, atë kundër Teutës në përballjen direkte të mbijetesës. Asnjë gol në “Adush Muça” ku ekipi i Arjan Bellait nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës që prej 30 shtatorit kur mundi me rezultatin e thellë 4-1 Erzenin.
Ajo fitore duket se uli perden e një skuadre që do të mbetet vetëm në memorie pasi ekipi duket i përhumbur dhe i pamotivuar për të bërë më mirë pasi e mbylli në mënyrën më të keqe të mundshme fazën e parë. Më shumë se fizikisht, skuadra mallakastriote po reflekton lodhje mendore, ndërsa afrimi në periferi të zonës së ftohtë i komplikon edhe më shumë gjërat për Bylisin.
Ndoshta pushimi i imponuar nga Kupa e Botës mund të jetë shpëtimi i ballshiotëve në këtë situatë ku rruga duket pa krye ndërsa sulmi i përhumbur. Golin e vetëm në dy muajt e fundit e ka shënuar Kaçorri në Shkodër, ndërsa mbrojtja vijon të fusë ujë me 8 gola të pësuar në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Me këtë ritëm, vrima e zezë e Kategorisë së Parë mund ta tërheqë me shpejtësi ekipin mallakastriot.