Hedhja e sendeve në fushë dhe ndërprerja e ndeshjes mund ta kthejë Shqipërinë 20 apo 30 vite mbrapa kur në stadiumet shqiptare mbretëronte dhuna dhe sjelljet jonormale, aspak të pranueshme në fushat ndërkombëtare. Si pasojë, FIFA rikthehet me kamxhik ndaj Shqipërisë dhe dora e institucionit drejtues të futbollit botëror mund të jetë vërtetë e rëndë këtë herë. Në bazë të Kodit të Disiplinës së FIFA-s, federata organizatore është përgjegjëse për sjelljen e pahijshme të spektatorëve, pavarësisht fajtorëve apo shkaktarëve të incidenteve dhe pavarësisht situatës së krijuar. Në rast të shqetësimeve serioze, mund të caktohen sanksione.
Në vijim, pika 3 e nenit 67, sqaron se sjellja e pahijshme përfshin dhunë ndaj personave, pajisje ndezëse, hedhjen e mjeteve të forta në fushën e lojës, shfaqjen e parullave fyese ose me përmbajtje politike dhe në të tilla raste, dënimet shkojnë deri në zhvillimin e ndeshjeve pasardhëse në fusha neutrale por ky ndoshta nuk është rasti i Shqipërisë. Në të tilla ngjarje, vlerësohet shkalla e rëndësisë së incidentit apo incidenteve dhe më pas merret një vendim në bazë të nenit 25 apo 26 që janë respektivisht ndeshje pa tifozë apo në fushë neutrale pa tifozë.
Në bazë të nenit 51, në rast dhune ku nuk është e mundur të identifikohet shkaktari apo shkaktarët, komisioni sanksionon klubin apo federatën së cilës i përkasin mbështetësit. Një precedent të freskët Shqipëria e ka dhe që si për ironi, e avantazhoi skuadrën kuqezi vetëm pak ditë më parë në Hungari ku ndeshja u zhvillua me dyer të mbyllura pikërisht për shkak të selljes jo normale të tifozëve hungarezë në sfidën me Anglinë. Përvec gjobës 216 mijë dollarë në dëm të federatës, për thirrjet me bazë raciste por edhe për incidentet e shkaktuara me hedhjen e mjeteve të forta në fushë, Hungaria u dënua me dy ndeshje pa tifozë.
Në rastin e Shqipërisë, thirrjet me bazë raciste e nuk ekzistojnë por pozitat e FSHF-së i rëndon fakti që ndeshja u ndërpre përkohësisht. Në bazë të raportit të delegatit dhe arbitrit Clement Turpin, komisioni i disiplinës në FIFA do të marrë vendimin përfundimtar, sigurisht, përpara datës 15 nëntor kur Shqiëpria të presë në ndeshjen e fundit eleminatore, Andorrën.