RTSH Sport Live

Champions League, “fjala e fundit” e fazës së grupeve

  • 07/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
Champions League, “fjala e fundit” e fazës së grupeve
Dita e fundit e fazës së grupeve të eventit që do të japë vendimet përfundimtare për skuadrat që do të kalojnë në raundin e dytë

90 minutat e fundit të Champions League, e gjitha për t’u shijuar, me ditën e gjashtë dhe të fundit të fazës së grupeve, ku do të përcaktohen dhe skuadrat e mbetura që do të kalojnë në raundin tjetër.  

Shumë gjëra janë bërë të njohura dhe pa këto ndeshje, por ka të tjera që presin verdiktin, gjë që nuk vlen për Grupin A, ku Manchester City ka siguruar vendin e parë me 12 pikë dhe PSG të dytin me 8 pikë. Kështu, kur Mbappe-Neymar-Messi të presin Brugge, sfida vlen vetëm për vendin e tretë, që shkon në Europa League, me belgët në kuotën e 4 pikëve, aq sa Leipzig, që do të luajë në shtëpi kundër “Citizens”.

Për Grupin B, gjithçka është në lojë dhe varet shumë nga Liverpool, i sigurtë si kokë grupi. Nëse Milani fiton në San Siro ndaj skuadrës së Klopp dhe Porto nuk fiton në Dragao me Atletico Madrid, kuqezinjtë e Piolit do të kalojnë si të dytët e grupit. Portugezët kanë 5 pikë, ndërsa Milan e Atletico 4. Kështu, nëse Simeone mund Dragonjtë dhe italianët nuk fitojnë me Reds, atëherë është Atletico që avancon në 1/8 e turnout.

Është vendosur gjithçka në Grupin C, me Ajax me pikë të plota kokë grupi dhe Sportingun surprizues, që i ka marrë Dortmundit vendin e dytë. Ndeshja në Amsterdam mes dy kryesueseve nuk ka vlerë, ashtu si dhe Dortmund-Beshiktash, me gjermanët të sigurt në vendin e tretë.

Ndahet vendi i parë në Madrid për Grupin D, e gjithë vëmendja është në Real-Inter në Bernabeu, sepse Sheriff e ka siguruar Europa League. 1/8 janë siguruar nga të dy ekipet, por në lojë është vendi që do të evitonte përplasjen menjëherë me kolosët e kompeticionit. Për momentin, Ançeloti duhet të bëjë pa Benzema, kryeson me dy pikë më shumë se zikaltërit.

Duhet një arritje e vërtetë kundër një Reali që kryeson Ligën  me 8 pikë avantazh ndaj Sevilla të vendit të dytë. Dhe për të thyer një tabu që reziston prej 54 vitesh, që nga viti 1967, Interi nuk fiton në shtëpinë e spanjollëve.