RTSH Sport Live

Champions League, mbyllet faza e grupeve

  • 09/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
Champions League, mbyllet faza e grupeve
Luhen ndeshjet e grupeve E, F, G dhe H, zyrtarizohen 15 ekipe që kualifikohen

Liga e Kampioneve është kthyer këtë mesjavë me ndeshjet e 6-ta dhe të fundit të fazës së grupeve dhe të mërkurën janë luajtur takimet e vlefshme për grupet E, F, G dhe H. Në fakt, në grupin H, dy takimet janë luajtur më herët dhe Juventusi nuk ka gabuar në shtëpi, duke mposhtur minimalisht Malmoen me një gol të shënuar në pjesën e parë. Kjo fitore u ka mjaftuar italianëve t’i rrëmbejnë vendin e parë në renditje Çelsit, që u ndal në një barazim 3-3 në Shën Pjetërburg përballë Zenitit vendas.

Ndonëse rusët e mbyllën pjesën e parë në epërsi 2-1, me gola të shënuar në fund të saj nga Klaudinjos dhe Azmunit, teksa Verner i pati kaluar anglezët në epërsi që në minutën e 2-të, janë londinezët që përmbysin gjithçka në pjesën e dytë, me një gol të Lukakut dhe një tjetër goli të futbollistit gjerman.

Por goli i Ozdoevit në minutën e 4-t shtesë i mohon Çelsit fitoren dhe vendin e parë të renditjes, ndërsa Zeniti i Shën Pjetërburgut vijon më tej aventurën kontinentale në veprimtarinë tjetër, në Ligën e Evropës. Ndërkaq, në grupin F, ndeshja vendimtare midis Atalantës dhe Vijarealit, që do të përcaktonte edhe skuadrës që do të shoqërojë Mançester Junajtid në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve, është shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, që e bënë të pamundur të luhet në fushën e stadiumit në Bergamo.

Kështu, është vendosur që kjo ndeshje të luhet të enjten, duke nisur nga ora 19:00. Ndërkaq, pasi i kishte dhuruar fitoren e parë në Premier Ligën angleze, Mançester Junajtid nuk ka arritur t’i dhurojë trajnerit të saj të përkohshëm, Ralf Rangnik, edhe fitoren e parë në Ligën e Kampioneve, duke u ndalur në shtëpi në një barazim 1-1 përballë Jang Bojs të Bernës, që u jep kështu lamtumirën veprimtarive evropiane.

Ndërkaq, në grupin e vetëm ku luftohej gjithçka për gjithçka, në grupin G, Lila e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi në Gjermani përballë Volfsburgut vendas dhe duke e dyfishuar, e më pas trefishuar këtë epërsi në pjesën e dytë, për të siguruar fitoren që i jep kreun e renditjes dhe vendin në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve.

Aty ku do ta shoqërojë Salzburgu, që ka mposhtur po në Gjermani me një gol të vetëm Seviljen, e cila detyrohet të kënaqet me vendin e 3-të, që të çon në Ligën e Evropës, teksa Volfsburgu eliminohet plotësisht.