Sokol Cikalleshi ka dalë në konferencë për shtyp, bashkë me trajnerin Edoardo Reja duke folur për situatën e krijuar pas humbjes me Izraelin. Sulmuesi kuqezi ka bërë thirrje për mbështetje pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ecet përpara.
“Është një situatë jo e mirë për momentin. Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim, pasi vetëm 3 pikët na mbanin në lojë. Presioni ishte mbi ne, edhe Izraeli kishte presionin e tij. Tani që mbaron ndeshja mund të kemi shumë gjëra për të korigjuar. Si lojtarët, edhe stafi, jemi ulur të analizojmë që po vazhdojmë të bëjmë po të njëjtat gjëra, gabime individuale që po na ndikojnë. Po na ndodhin ne fatkeqësisht dhe jo ekipit kundërshtar sepse futbolli është lojë gabimesh dhe në një moment apo në një tjetër, mund të përfitosh nga to. Kohët e fundit ne nuk kemi përfituar dhe kemi qenë ne ata që kemi gabuar. Këtë duhet të përmirësojmë”.
“Fitoren urojmë ta kemi nesër, pasi ende nuk ka përfunduar. Kemi një ndeshje që për mendimin tim është shumë e rëndësishme, pasi jemi në vendin e tretë dhe mund të përfundojmë në vendin e dytë. Me trajnerin Reja, krahasuar me trajnerin De Biasi kemi pasur një futboll disi më ndryshe, më difensiv dhe atëherë pyetjet ishin se pse nuk shënonim, ndërsa tani kemi pasur një skemë më ofensive duke u fokusuar më shumë te dy sulmuesit dhe duke u fokusuar më shumë përpara portës e duke arritur të shënojmë. Duhet të kuptojmë që futbolli nuk është vetëm te pjesa e të mbrojturit mirë apo të sulmuarit mirë, por është diçka komplekse dhe duhet të funksionojmë të gjithë repartet”.
“Përveç anës taktike dhe analizës që duhet të bëjmë ne lojtarët, pasi kanë qenë gabime që i kemi bërë gjatë ndeshjes, është përqëndrimi që duhet të jetë më i madh dhe të jemi mbështetje për njëri-tjetrin që na bën neve të ecim përpara, pasi ne jemi ekip i vogël dhe nuk jemi Anglia, Franca. Ne si ekip i vogël, vetëm me dëshirë e pasion mund të arrijmë gjëra të mëdha”.
“Çdo ndeshje është e vështirë, pavarësisht se si është morali. Tashmë situata nuk është e mirë, ne e pranojmë këtë gjë. Nuk mund të themi asgjë lidhur me situatën, pasi ne donim vendin e parë. Tashmë kjo nuk është e mundur, por ne kemi një ndeshje përpara që do të kërkojmë vendin e dytë dhe do të tentojmë të fitojmë ndeshjen nesër. Ne jemi në një pozicion tashmë që edhe kritikat janë lëshuar ndaj nesh, por kjo është Kombëtare, është krenari për të gjithë ne dhe shqiptarët që na ndjekin”.
“Nganjëherë, me të drejtë edhe mund të na kritikojnë, por ne kemi nevojë për mbështetje dhe jemi në një moment që duhet të jemi bashkë dhe vetëm bashkë mund t’i bëjmë gjërat më mirë se ç’janë. Kështu që nesër uroj që mbështetja të jetë e madhe pasi shumë shpejt vijnë edhe ndeshjet e eliminatoreve të Europianit që janë shumë të rëndësishme. Kishim një mundësi për të shkuar në play-off me Nations League, nuk e bëmë dot, por eliminatoret janë shumë afër dhe mbështetja e të qenit bashkë është shumë e rëndësishme, pasi kështu mund të arrijmë rezultate”.
“Lojtarët ishin të shkatërruar emocionalisht pas ndeshjes, po ashtu edhe nga lodhja. Kemi folur aty, vazhdojnë këto biseda edhe këtu. E gjitha fillon te gabimet që nuk po na ndahen. Nuk drejtojmë gishtin te një lojtar, pasi ne jemi të gjithë bashkë, jemi një familje e madhe dhe do vazhdojmë të jemi kështu. Gabimet ndodhin në futboll, por mos të na ndodhin vetëm ne”.
“Kjo është ajo çka ne flasim. Detajet e vogla bëjnë diferencën dhe detajet e vogla duhet t’i shohim shumë me rëndësi dhe uroj që këto gabime të mbarojnë sa më shpejt, pasi kualitetet janë. Ka lojtarë të rinj me shumë cilësi, duan kohën e tyre. Nuk duhet t’i fusim në presion. Futbolli nuk është për një ditë, është në vazhdimësi. Po ashtu, ne ‘të vjetrit’, nuk jemi shumë”.
“Po presim shumë nga të rinjtë që po na vijnë dhe duhet të jemi më shumë dashamirës në këtë aspekt duke qenë mbështetje për të gjithë. Si unë, edhe trajneri jemi në një situatë që nuk mund të kërkojmë shumë në këtë moment, por Kombëtarja është Kombëtare. Është krenari dhe duhet të vazhdojmë ta mbështesim. Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën, jua sigurojmë këtë. Futbolli është me ulje dhe ngritje po tentojmë te dalim sa më shpejt nga kjo situate”.
“Islanda? Është një ndeshje ku ne i kemi mundësitë për ta fituar dhe të rregullojmë ato pak gjëra që janë detaje, të cilat bëjnë diferencën. T’ia lëmë fushës, nuk dua të flasim shumë përpara ndeshjes. Ndeshja kundër Izraelit duhej fituar, ndërsa kjo e nesërmja është një ndeshje për moral dhe për të treguar që ne mund të ringrihemi më të fortë dhe për të bërë atë që duan të gjithë shqiptarët që Kombëtarja të jetë aty ku e meriton”.