RTSH Sport Live

Cikalleshi-Manaj, Shqipëria rrëmben vendin e parë

  • 18/11/2020
  • |
  • Kombëtarja
Cikalleshi-Manaj, Shqipëria rrëmben vendin e parë

Përfaqësuesja kuqezi ka fituar 3-2 përballë Bjellorusisë, në ndeshjen e fundit në grupin 4 të Ligës C. 11 pikë të grumbulluara vendi i parë në grup(3 fitore, 2 barazime, 1 humbje)

Mision i përfunduar, objektivi është arritur. Përfaqësuesja kuqezi ka bërë ëndrrën realitet, duke marrë një fitore 3-2 përballë Bjellorusisë në ndeshjen e fundit në grup në Ligën e Kombeve. Tri pikë të rëndësishme për të besuarit e trajnerit Reja, që u ka dhënë të drejtën të vendosen në vendin e parë, një objektiv i vendosur që në fillim të këtij edicioni.

Përfaqësuesja kuqezi i ka nisur 45 minutat e para në mënyrën më të mirë të mundshme. Dyshja e sulmit Cikalleshi-Manaj ka dhënë menjëherë sinjalin e rrezikshëm në portën e bjellorusëve, të mbrojtur nga Khatkevich. Pas disa mundësive të krijuara, formacioni kuqezi ka arritur të zhbllokojë rezultatin në minutën e 19-të me anë të Cikalleshit. Një aksion nga e majta e sulmit, me Memollën që ka krosuar në zonë dhe aty sulmuesi kuqezi nuk fal me kokë, 1-0. Në minutën e 26-të, Manaj është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe gjyqtari i sfidës ka treguar pikën e bardhë. Edhe njëherë Cikalleshi, dhe përsëri gol, 2-0. Bjellorusët janë rikthyer në lojë në minutën e 35-të me Skavysh, që ka përfituar nga një gabim i mbrojtësit Ismajli dhe ka shënuar, 2-1. Bjellorusia ka marrë zemër pas këtij moment, por ai që rikthen qetësinë në kampin kuqezi është Manaj, që ka shënuar në minutën e 44-ët. 3-1 për Shqipërinë, që është dhe rezultati i pjesës së parë.

Pjesa e dytë ka nisur më e kujdesshme për kuqezinjtë, duke menduar më shumë për të administruar rezultatin e arritur në 45 minutat e para. Në minutën e 71-të të takimit, Laçi është shfaqur rrezikshëm në zonën bjelloruse, por gjuajtja e tij ka përfunduar jashtë. Bjellorusia ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 80-të me anë të Ebong, ka arritur të gjejë hapësirë në mbrojtjen kuqezi dhe të shënojë, 3-2. Por vetëm kaq, pasi kuqezinjtë kanë arritur të ruajnë avantazhin deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit rumun, Petrescu.

SHQIPËRI-BJELLORUSI 3-2

Shënues: Cikalleshi 19', 27', Manaj 44' / Skavysh 35’, Ebong 80'

Kartona të verdhë: Uzuni, Gjasula, Gjimshiti / Bordachev, Lisakovich, Stasevich

Gjyqtarë: Radu Petrescu, Radu Ghinguleac, Mircea Mihail Grigoriu, Marcel Birsan (Rumani)

SHQIPËRIA: (3-5-2) Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Doka, Memolla, Memushaj(Selahi 64’), Gjasula, Laçi(Ramadani 90’), Cikalleshi(Balaj 64’), Manaj(Uzuni 71’). Trajner: E. Reja

BJELLORUSIA: (4-4-2) Khatkevich, Yuzepchuk, Polyakov, Sachivko(Klimovich 84’), Bordachev (Pechenin 46’), Ebong, Maevski(Antilevski 77’), Yablonski(Kendysh 63’), Satasevich, Lisakovich(Laptev 77’), Skavysh. Trajner: M. Markhel.