Turi i 78-të i Shqipërisë në Çiklizëm ka ulur me sukses siparin e tij, ndërsa finishi ishte në Fier. Në mëngjes, Përmeti i ka përcjellë çiklistët në mënyrë ceremoniale. E më pas 124 kilometra e etapës së pestë janë përshkruar qetësisht nga çiklistët pasi në një farë mënyrë verdiktet për fituesin e Turit të 78-të të Shqipërisë në çiklizëm ishin vendosur tashmë.
Shkëputjet nisin që në kilometrat e para, ndërsa kalohet Gryka e Këlcyrës për të hyrë drejt Tepelenës e më pas nëpër kthesat e Ballshit e në fund në Fier. Adam Kus ka patur nga pas Olsian Veliajn dhe Kristel Sotën. Përpjekje e madhe e dy çiklistëve tanë për të bërë të vetën këtë etapë të fundit të Rrethit të 78-të Çiklistik të Shqipërisë.
Por Adam Kus ka një marsh më shumë, ndërsa e ka prerë i pari vijën e finishit në kohën 3h12’42”. Pas tij, me një minutë më shumë dhe me të njëjtën kohë, Olsian Veliaj dhe Kristel Sota, që kanë mbërritur në Fier në kohën 3h13’11”. Në përfundim të etapës së pestë, Përmet – Fier, për mikrofonin e RTSH Sport kanë ardhur çiklisti Adam Kus dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.
Fituesi i Turit të 78-të të Shqipërisë në çiklizëm u shpall çiklisti i Velom Termonalift, Dushan Veselinoviç me kohën e përgjithshme 17h57’01. Pas çiklisti i Asfra Rasing Tim, Glen Van Nuhlen me kohën e përgjithshme 17h57’11” dhe në vendin e tretë, Gregor Marija Çerne i Velom Termonalift me kohën e përgjithshme 17h58’46”.