Turi i 78-të i Shqipërisë në Çiklizëm ka zhvilluar të martën etapën e dytë, e cila në fakt duhet të kishte një itinerar prej 159 kilometrash. Pra nga Korça në Qafën e Qarrit dhe më pas në Elbasan. Por prishja e një ure në rrugën drejt Ersekës ka ndryshuar itinerarin. Që do të thotë nga Korça në Pustec për të vazhduar në drejtim të Bilishtit e për t’u kthyer drejt kthesës së Maliqit, ndërsa u pedalua drejt Pogradecit e më pas në Elbasan. Sigurisht që i gjithë ky zhvillim i këtij Turi ka tërhequr dhe vëmendjen e pjesëmarrësve, sidomos të të huajve, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Asfra Rasing Tim Belgjikë, Luk Asez do të vlerësonte për mikrofonin e RTSH Sport.
“Ishte një etapë e parë e vështirë. Kjo është hera e tretë që marrim pjesë në këtë eveniment, e prisja një etapë të vështirë. Në zbatuam strategjinë tonë, nuk funksionoi, mendoj se dje fitoi skuadra më e mirë”.
Ndërkohë çiklistët kanë pedaluar me ritëm të lartë. Por gjithsesi ka pasur dhe rrëzime, ndërsa është aksidentuar lehtë dhe një çiklist i kombëtares së Kosovës, por pa pasoja. Në finish i pari ka mbërritur çiklisti i Asfra Rasing Tim e Belgjikës, Marko Stankoviç me kohën 3h49’54. Pas tij ka mbërritur kryesuesi i Turit të 78-të të Shqipërisë, Dushan Veselinoviç i Velo-M Termalift e Maqedonisë me kohën 3h51’01”. Dhe në vendin e tretë, me të njëjtën kohë me Veselinoviç, Aleks Menglos i Alfa Cicling Tim i Greqisë. Në përfundim të etapës, fituesi i saj Marko Stankoviç do të jepte këtë vlerësim.
“Ishte një garë e vështirë, kishim një ngjitje si Qaf Thana, shumë e gjatë, por jam një njohës i mirë I sprintit dhe u shkëputa. Falenderoj shokët e skuadrës për rezultatin e arritur”.
Etapa e tretë e Turit të 78-të të Shqipërisë do të ketë itinerarin Elbasan – Vlorë.