RTSH Sport Live

Çiklizmi shqiptar mirënjohje për Ardian Drenin

  • 18/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Çiklizmi shqiptar mirënjohje për Ardian Drenin
Vlerësohet karriera 22-vjeçare si gjyqtar, jo vetëm nga presidenti Anxhaku, por dhe kolegët e tij

Federata Shqiptare e Çiklizmit ka nderuar me titullin “Mirënjohje” gjyqtarin e saj Ardian Drenin, i cili për më shumë se sa 22 vjet ka kontribuar në sportin e dyrrotakëve në vendin tonë. Presidenti i kësaj Federates, Skënder Anxhaku, mbi të gjitha ka vlerësuar korrektesën dhe urtësinë e Ardian Drenit në vendimet e tij për mbarëvajtjen e aktiviteteve të çiklizmit në Shqipëri.

Ardian Dreni është një djalë i jashtëzakonshëm, shumë i mirë. Mbi të gjitha një prind i mirë, një njeri që ka bërë shumë punë në Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Unë mund të kujtoj vetëm rastin e Rrethit çiklistik të Shqipërisë më 2020-ën, teksa ishte kryegjyqtar dhe në të merrnin pjesë 15 ekipe të huaja”, thotë Skënder Anxhaku.

22 vite karrierë si gjyqtarë, ndërsa Ardian Dreni ka bërë për RTSH Sport një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit të tij.

“22 vite janë shumë – shpjegon Ardian Dreni – por nëse kemi patur rezultati kjo është meritë e një grupi shumë të mirë. Kjo që nga presidenti Anxhaku e deri tek stafi i Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Janë të gjithë çiklistë të vjetër dhe me shumë eksperiencë”.

Sukseset dhe vështirësitë e sportit të çiklizmit nuk e kanë zbehur dëshirën e tij për të vijuar me dyrrokatët në Shqipëri.

Duhet një mbështetje shumë e madhe nga të gjithë, sepse çiklizmi është sport me shpenzime. Rezultatet e arritura nga çiklizmi janë shumë të mëdha për sportin në vend”, tregon Ardian Dreni.

Por cili ka qenë çiklisti më i vështirë për t’u ndjekur? Aq më tepër që edhe sporti i dyrrotakëve ka hilet e tij si çdo disiplinë sportive.

Çiklizmi është sport që nuk i lejon shumë hilet. Sigurisht që është vështirësi e madhe, sepse kërkon një numër më të madh gjyqtarësh se sportet e tjera. Por grupi i gjyqtarëve, kjo që nga Hilmi Gjyzeli, Abedin Guzja, Arben Pinari, Artan Lugja, të cilët janë çiklistë me emër, i shmangin vështirësitë. Ndaj ndihem i kënaqur që punoj me to”, ka thënë Dreni.

E për Drenin nuk kanë munguar dhe vlerësimet e dy kolegëve të tij, Hilmi Gjyzeli dhe Abedin Guzja.

“Ardian Dreni – shpjegon Gjyzeli – ka kohë që ndodhet në stafin e gjyqtarëve. Një gjyqtar korrekt, shumë i sjellshëm me sportistët dhe stafin”.

“Ardian Drenin e karakterizon ndershmëria dhe unë e kam kolegun më të afërt në garat e çiklizmit, si në sekretari, ashtu dhe në kronometër”, thotë Guzja.

Ndërkohë Federata Shqiptare e Çiklizmit ka nderuar me titullin “Mirënjohje”, tanimë pas vdekjes, dhe Mustafa Çelën dhe Jaho Pronja.