RTSH Sport Live

Çinari nxjerr Tiranën jashtë loje, triumfon Partizani

  • 21/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Çinari nxjerr Tiranën jashtë loje, triumfon Partizani
I kanë mjaftuar pesë minuta lojë sulmuesit të kuq për të vendosur sfidën në “Elbasan Arena”

I kanë mjaftuar pesë minuta në fushën e lojës dhe Erald Çinari bëhet protagonist, duke vendosur fatin e derbit, atë mes Partizanit dhe Tiranës në Elbasan Arena. Sulmuesi shkodran, i rikthyer pas dënimit të dhënë nga FIFA, është aktivizuar në minutën e 78-të në vend të Asanit dhe në minutën e 83-të ka dërguar topin në rrjetë.

Një rikthim prej heroi për Çinarin, që nxjerr jashtë loje bardheblutë në garën për titull, ndërkohë që të kuqtë mbeten në ndjekje të skuadrës kryesuese, Vllaznisë.

Një ndeshje që ka dhuruar gjithçka, ndikuar dhe nga vendimet e arbitrit, që nuk i ka kursyer kartonët e verdhë, por dhe të kuq, nga një për secilën skuadër.

Starti i sfidës ngjiti në skenë blerjen e re të bardhebluve, Seferin, i cili lëshoi një goditje të fuqishme në drejtim të portës së Hoxhës, por ky i fundit u tregua në lartësinë e duhur.Presion bardheblu në momentet e para, por që me kalimin e minutave bie dhe të kuqtë marrin situatën në dorë.

Asani në minutën e 18-të jep sinjalin e parë të rrezikshëm, topi shkon ngjitur me shtyllën. Vetëm një minutë më vonë është Melo që tenton, por ndalet nga Bekaj. Nga njëra portë, në tjetrën, në minutën e 36-të, Seferi kalon edhe portierin Hoxha, por godet jashtë.

Fillimi i pjesës së dytë është për Seferin, që vonohet në konkretizim, ndërsa një minutë më vonë Solomon humbet një mundësi të artë, nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë.

Në minutën e 52-të, Bardhi merr kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë, por vetëm katër minuta më vonë gjithçka barazohet, të njëjtin fat ka edhe Batha.

Pas këtij moment skuadrat tregohen më të kujdesshme, duke u përqëndruar te dyluftimet në mesfushë, por diferenca vjen në minutën e 83-të, teksa një gjuajtje e Muratajt është devijuar nga Çinari dhe 1-0, rezultat që mbyll dhe sfidën.