RTSH Sport Live

City, De Bruyne: E dimë se si luan Interi, do të gjejmë hapësira

  • 09/06/2023
  • |
  • Futboll Bota
City, De Bruyne: E dimë se si luan Interi, do të gjejmë hapësira
Mesfushori belg në prag të finales: “Nuk do të jetë lojë e hapur, nuk duhet të nervozohemi”

"Jam te City prej një kohe të gjatë dhe ka pasur disa momente të pabesueshme. Kemi luajtur në këtë kompeticion për një kohë të konsiderueshme dhe nuk kemi arritur ta fitojmë atë. Këtë sezon mendoj se kemi bërë mirë deri tani, dhe nëse ne dalim nga fusha nesër me një fitore, padyshim që do të ishte fantastike për të gjithë". Fjalët e yllit të Manchester City-t, Kevin De Bruyne, në prag të finales së Champions League kundër Interit.

“Kemi fituar shumë ndeshje dhe shumë trofe në Angli, dhe mendoj se të gjithë e dinë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë: do të provojmë sërish nesër – shtoi ai – Ne e dimë se si luan Interi, një ekip shumë kompakt, ata luajnë me një 3-5-2 dhe e ka gjithmonë këtë sistem me dy sulmues, posedim të mirë të topit dhe mbrojtës të krahut që vrapojnë shumë në krahë”.

“Ne e dimë se ata mbrojnë shumë mirë, nuk do të jetë një lojë e hapur, por ndodh shpesh në finale, nuk duhet të nervozohemi nëse nuk ka shumë raste për gol. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të luajmë lojën tonë, do të gjejmë hapësira dhe do të shënojmë".

"A është fitorja për ne një ëndërr apo një obsesion? Çdo lojtar ëndërron të fitojë Champions League, nëse keni sukses, arrini një nga objektivat më të rëndësishme të ekipit. Të garosh çdo vit është diçka fantastike, nesër mund ta kurorëzojmë këtë ëndërr - vazhdoi De Bruyne. - Jam shumë krenar për atë që kemi arritur si klub: kemi bërë gjëra fantastike dhe hapi i fundit mungon, për t'u ngjitur nesër. Haaland? Ndjenja që kemi në fushë ndonjëherë është e vështirë për t'u shpjeguar. Ndonjëherë e kuptoj se çfarë ai dëshiron dhe anasjelltas. Le të shpresojmë që të jetë e njëjtë edhe kundër Interit”.