RTSH Sport Live

Çmimi i Madh i Brazilit, triumfon Xhorxh Rasëll

  • 13/11/2022
  • |
  • Formula 1
Çmimi i Madh i Brazilit, triumfon Xhorxh Rasëll
Merr vendin e parë, Hemilton të dytin e Sainz të 3-tin, gara erdhi direkt në RTSH

Ka qenë një fundjavë për të mos harruar kjo për pilotin e ri të “Mercedes”-it, Xhorxh Rasëll, i cili ka triumfuar dy herë brenda më pak 24 orëve, duke nisur kështu të shkruajë kapitullin e tij historinë e Formulës 1. Të shtunën, 24-vjeçari kishte ngadhënjyer në garën e 3-të dhe të fundit “Sprint” të Botërorit të këtij sezoni, ndërsa të dielën ka vijuar të ruajë gjakftohtësinë në një garë të vështirë të Çmimit të Madh të Brazilit, duke siguruar edhe fitoren e tij të parë në karrierë. Në fakt, ai u bë piloti i 113-të i ndryshëm që fiton një garë në Formula 1, ndërsa “Mercedes”-i u rikthye të rrëmbente dy vendet e para që nga 2020-ta dhe dy pilotë britanikë u rikthyen në dy vendet e para për herë të parë që nga viti 2010.

Në fakt, gara e zhvilluar në pistën e Sao Paulos, që, sikundër ka ndodhur këtë sezon, ka ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1 dhe RTSH Sport, ka parë aksidente dhe incidente të shpeshta dhe futjen dy herë të makinës së sigurisë, ka parë skuadrat të ndryshojnë shpesh strategji. Megjithatë, Rasëll ishte i pagabueshëm nga fillimi deri në fund, duke lënë prapa Ljuis Hemiltonin, i cili, nga ana e tij, la pas atë aksident me rivalin e tij historik, Maks Verstapen, në xhiron e 7-të dhe marshoi drejt kreut, duke regjistruar edhe podiumin e 279-të të “Mercedes”-it dhe atë të 308-të të pilotëve britanikë në Formula 1.

Ndërkaq, podiumin e garës braziliane e plotësoi Karlos Sainz, që la prapa pilotin tjetër të “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk. Fernando Alonso mori vendin e 5-të, i ndjekur nga dyshja e “Red Bull”-it, Verstapen dhe Serxhio Perez, ndërsa 10-shen e të parëve e plotësuan Okon, Botas dhe Stroll