Formula 1 është rikthyer në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar me garën e 6-të të sezonit, Çmimin e Madh të Katalonjës në Spanjë, një garë që ka dhuruar spektakël, por edhe përmbysje, si sa i përket finishit, ashtu edhe renditjes së përgjithshme të pilotëve, por edhe atë të konstruktorëve. Gara që u duk se filloi në mënyrë të përkryer për Sharl Lëklërkun, i cili u nis nga vendi i parë, teksa ai e fitoi duelin me rivalin Maks Verstapen, i cili nga ana e tij raportoi më vonë probleme me aparaturës e DRS-së, që nuk i hapej. Por, pikërisht atëherë kur nuk pritej, në xhiron e 29-të, kur nuk kishte asnjë lloj presioni ndaj tij, piloti i ri i “Ferrari”-t humbi fuqinë e motorit dhe u detyrua të tërhiqej nga gara.
Me Lëklerkun të tërhequr dhe me pilotin tjetër të “Ferrari”-t, Karlos Sainz që ka mbetur prapa, është fillimisht Verstapen që përpiqet pa sukses të parakalojë “Mercedes”-in e Xhorxh Rasëllit, duke ia lënë më pas fjalën shokut të skuadrës, Serxhio Perez. Piloti tjetër i “Red Bull”-it e parakalon britanikun e skuadrës gjermane, dhe, pasi Verstapen e ka parakaluar Rasëllin pas ndalesës për ndërrimin e gomave në xhiron e 44-t, është meksikani që i hap rrugën holandezit. Verstapeni mbërrin i pari në finish, i ndjekur nga Perez, që merr pikën shtesë të xhiros më të shpejtë, ndërsa podiumin e plotëson Xhorxh Rasëll, teksa Karlos Sainz mbetet në vendin e 4-t. Dhe pas, 6 garave të para Verstapen merr kreun e renditjes së pilotëve, me 110 pikë, 6 më tepër sesa Lëklerku, ndërsa Perez ngjitet në vendin e 3-të, me 85 pikë. Po kështu, “Red Bull”-i ka marrë kryesimin e renditjes së konstruktorëve, me 195 pikë, i ndjekur nge “Ferrari”, me 169 dhe “Mercedes”-i, me 120.