Kanë mbetur tanimë vetëm 3 gara deri në përfundim të këtij sezoni të Botërorit të Formulës 1, që është zhvendosur në Lindjen e Mesme dhe të shtunën janë zhvilluar provat zyrtare të të parës prej këtyre garave, Çmimit të Madh të Katarit. Një Çmim i Madh, që në fakt është debutues në botën e Formulës 1 dhe që do të shënojë edhe pjesëmarrjen e 900-të në këtë sport të një skuadra legjendare, si “MekLareni”-i. Dhe ka spikatur në provat e lira Pjer Gasli, i cili ka vijuar të jetë i dyti më i shpejti në edhe në seancën e dytë të provave zyrtare.
Megjithatë, në seancën e 3-të dhe të fundit, jashtë të cilës ka mbetur në mënyrë të papritur piloti i “Red Bull”-it, Serxhio Perez, kanë hyrë në lojë edhe të mëdhenjtë dhe ka qenë Ljuis Hemilton që i ka dhënë tonin këtyre provave zyrtare, duke regjistruar kohën më të shpejtë, me 1 minutë, 21 sekonda e 262 të mijëtat. Maks Verstapen është përpjekur me “Red Bull”-in e tij, por nuk ka shkuar dot më larg se vendi i dytë, 162 të mijëtat e sekondës prapa rivalit të tij britanik.
Dy minutat e fundit të seancës së 3-të të provave zyrtare kanë qenë të ethshme dhe Hemilton ka shkuar edhe më shpejt, duke regjistruar kohën 1 minutë, 20 sekonda e 827 të mijëtat, ndërsa dy ndjekësit më të afërt, Verstapen dhe Valteri Botas, janë dorëzuar, edhe për shkak të një avarie gomash të Pjer Gaslisë.
Kësisoj, kampioni në fuqi i botës ka siguruar, për herë të 102-të në karrierë, nisjen nga vendi i parë, ndërsa në krah të tij, në radhën e parë të nisjes në pistën e Lusailit, do të jetë rivali i tij, Maks Verstapen. 10-shen e të parëve do ta plotësojnë Botas, Gasli, Alonso, Norris, Sainz, Tsunoda, Okon dhe Sebastian Fetel. Sikundër provat zyrtare të të shtunës, edhe garës e së dielës në Çmimin e Madh të Katarit do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:45.
NISJA
RRESHTI I PARË
- Lewis Hamilton (Mercedes)
- Max Verstappen (Red Bull)
RRESHTI I DYTË
- Valtteri Bottas (Mercedes)
- Pierre Gasly (AlphaTauri)
RRESHTI I TRETË
- Fernando Alonso (Alpine)
- Lando Norris (McLaren)
RRESHTI I KATËRT
- Carlos Sainz (Ferrari)
- Yuki Tsunoda (AlphaTauri)
RRESHTI I PESTË
- Esteban Ocon (Alpine)
- Sebastian Vettel (Aston Martin)
RRESHTI I GJASHTË
- Sergio Perez (Red Bull)
- Lance Stroll (Aston Martin)
RRESHTI I SHTATË
- Charles Leclerc (Ferrari)
- Daniel Ricciardo (McLaren)
RRESHTI I TETË
- George Russell (Williams)
- Kimi Raikkonen (Alfa Romeo)
RRESHTI I NËNTË
- Nicholas Latifi (Williams)
- Antonio Giovinazzi (Alfa Romeo)
RRESHTI I DHJETË
- Mick Schumacher (Haas)
- Nikita Mazepin (Haas)