RTSH Sport Live

David Nikolli, i pari në 1500 metra

  • 06/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
David Nikolli, i pari në 1500 metra
3’39”18 teksa është ndër 10 më të mirët e Europës, tani pritet medalja në Ballkaniadë

David Nikolli e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa në Padova, në Kampionatin Dimëror të Atletikës në Itali, kjo në salla të mbyllura, ka dalë i pari në 1500 metra. 3’39”18 koha e Nikollit, që është rezultati i tij i sezonit, por ndërkohë e rendit në dhjetë më të mirët të Europës. Kjo kohë ka bërë optimistë dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës, sepse David Nikolli do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, ndërsa prej tij pritet një medalje ari e sigurtë. Nikolli do të garojë në 800 dhe 1500 metra, kurse me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ai do të jetë përfaqësuesi i Besëlidhjes në Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin Kombëtar për të rritur.

Ndërkohë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura në Stamboll, që është një garë mes 22 shteteve, Shqipërinë do ta përfaqësojë edhe Luiza Gega, Franko Burraj, Muhamet Çengeli e Erisa Rrasa, kurse trajnerë do të jenë Taulant Stërmasi dhe Bruno Rrotani. Ky Ballkanik, i cili shoqërohet edhe me mitingun në salla të mbyllura në Stamboll, do të jetë parapërgatitje edhe për Kampionatin Europian më 2-5 mars. Gjithsesi tani të gjithë besojnë në aftësinë e David Nikollit për medalje në Ballkaniadë.