RTSH Sport Live

Derbi, dashuri, pasion dhe urrejtje…

  • 22/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Derbi, dashuri, pasion dhe urrejtje…
Ndeshja që ndan një qytet dhe bashkon “armiqtë” e përditshmërisë

Në stadium do të lejohen vetëm diçka më shumë se 7 mijë por koha e krtyeqytetit do të ndalet për 90 minuta. Të hënën në orën 19:45, Tirana dhe Partizani, për të paktën një ditë ndajnë besimin mes njerëzve, jo fetar, as politik apo shkencor, atë sportiv. Futbolli do të bashkojë me të njëjtat ngjyra armiqtë përditshmërisë dhe do të ndajë vëllezërit apo miqtë e ngushtë pasi në katërkëndëshin e gjelbër nuk ka vend për llogari të ftohta, në atë 90 minutësh komandën e merr zemra dhe ajo dikton korin që del nga shpirti e fryma e cdo kryeqytetasi dhe jo vetëm.

Tirana ndahet në dy kampe, jo gjeografike edhe pse një përqëndrim më të madh tifozët bardheblu e kanë në lagjet tradicionale të qytetit ndërsa ata të kuq në zonat më periferike, por miksimi i ngjyrave në çdo centimetër të kryeqytetit është i zakonshëm, normal për një ambjent që zgjedh në liri të plotë skuadrën që dëshiron të përfaqësojë në ato 90 minuta që për jetën sportive të Tiranës janë gjithçka. Kapaciteti i stadiumit aktual, edhe në hipotezën më optimiste të dyerve të hapura, do të ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur brenda pasionin e dy tifozerive të ndara në ngjyra, traditë dhe filozofi.

 Një vit e gjysmë, pas mbylljes totale të çdo stadiumi në vend, këtë të hënë zëri i fortë i tyre do të rikthehet të gjëmojë në derbin e parë mes Tiranës e Partizani, vetëm një prej 4 akteve që me siguri do të shoqërohen me emocione, gola, spektakël në fushë e në shkallë pasi derbi nuk është thjesht një ndeshje futbolli, derbi është pasion e  sakrificë për një skuadër të cilës i beson gjithë ndjenjat në një 90 minutësh të vetëm.