RTSH Sport Live

Derbi i Dajës, pa presion

  • 20/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Derbi i Dajës, pa presion
”Tani jemi më të konsoliduar, e presim ndeshjen me qetësi, sepse e kemi të gjithë kontigjentin në dispozicion. Mund të bëjmë ndërhyrje edhe më shpejt se në ndeshjet e tjera”

Të enjten është dita e derbit kryeqytetas, por… do të luhet në “Elbasan Arena”, kështu ka zgjedhur skuadra pritëse, Partizani. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Ilir Daja është shprehur:

“Duhet të tregohemi të kujdesshëm, siç kemi bërë dhe në derbin e kaluar dhe të shohim më tepër në mbështetjen me disa lojtarë në zonën e golit të kundërshtarit. Në ndeshje të tilla nuk duhet ta shtojmë presionin, gjëja më e mirë do të ishte që ta menaxhojmë atë, kemi lojtarë me eksperiencë që dinë ta bëjnë një gjë të tillë”.

I pyetur nëse ndeshja kundër Tiranës mund të ndryshojë sezonin, trajneri i të kuqve u shpreh: “Unë mendoj se është ndeshja e radhës, ka vlerën e tri pikëve, përveç bonusit psikologjik. Nuk ndikon në ecurinë e mëtejshme të skuadrës. Tani jemi më të konsoliduar, e presim ndeshjen me qetësi, sepse e kemi të gjithë kontigjentin në dispozicion. Mund të bëjmë ndërhyrje edhe më shpejt se në ndeshjet e tjera”.

Ditën e martë mbërriti në klubin e kuq një vendim nga FIFA, se pezullimi i sulmuesit Erald Çinari ka përfunduar. Shkodrani mund të konsiderohet dhe si blerja e tretë në këtë merkato janari, duke qënë se është një nga lojtarët më të mirë në ekip.

“Çinari, përpos faktit se është një nga lojtarët cilësor të kampionatit shqiptar dhe të Partizanit, është një vlerë e shtuar sepse e njeh ekipin, e njeh kampionatin. Na erdhi një ditë para derbit dhe them se është një ogur i mirë për të përballuar me sukses dhe sfidën e nesërme. Ka qënë pjesë e manovrës, por e munguar në ndeshjet zyrtare. Kështu që nuk mund të them se do të aktivizohet nga fundi, por as nga fillimi, në momentin e duhur do e hedhim në fushë”.

Partizani do të rikthehet të luajë në “Elbasan Arena”, pas provës së fundit të kaluar në stadiumin e Skënderbeut, i cili ishte i mbuluar nga bora.

“Terreni ishte jashtëzakonisht i rënduar për shkak të reshjeve të borës, por kemi dalë në një konkluzion se dhe në ato kushte kishte veprime mjaft të mira. U kam thënë lojtarëve se në Elbasan Arena nuk ka asnjë justifikim, duhet të tregojmë të njëjtin motivim, ashtu si në Korçë”, ka përfunduar trajneri i Partizanit.