RTSH Sport Live

Derbi, interesim i madh për biletat

  • 20/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Derbi, interesim i madh për biletat
Në shitje kanë dalë vetëm 7 mijë. Tirana kërkon hapjen e plotë të stadiumit

Derbi i parë sezonal mes Tiranës dhe Partizanit ka ngjallur një interest ë madh mes tifozerisë kryeqytetase. Të hënën në orën 19:45 “Arena Kombëtare” do të transformohet në arenën e ndeshjes më të rëndësishme të sezonit për dy skuadrat e një qyteti që rivalitetin e kanë nisur rreth 75 vite më parë. Në të vetmen biletari të hapur për shitjen e biletave, atë pranë stadiumit “Selman Stermasi”, interesimi ka qenë i madh.

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për kapacitet të reduktuar në 30 % në ndeshjet e futbollit kushtëzon edhe ndeshjen derbi pasi zyrtarisht në shitje kanë dalë rreth 7 mijë bileta dhe nëse vendimi nuk ndryshon të paktën për këtë sfidë, atëherë stadiumi modern i kryeqytetit do ët jetë i populluar vetëm në 1/3-ën e kapacitetit.

Dy prej tifozerive më të zjarrta të vendit për momentin janë në pritje të një vendimi që mund t’i rikthejë jetën edhe Kategorisë Superiore, prej më shumë se një viti me stadium pothuajse të bishatisur. I fundit në të tilla përmasa, derbi përpara mbylljes totale të stadiumeve në Marsin e vitit 2020 dhuroi spektaklin për të cilin tifozët dhe njerëzit e sportit kanë pritur gjatë. Ndoshta tashmë ka ardhur momenti që derbi Tirana-Partizani t’u rikthehet tifozëve.