Fitorja ndaj Turbinës në Cërrik me shifrat 0-4 bëri që Skënderbeu të rikthehet në Kategorinë Superiore pas një viti mungesë. Bardhekuqtë aktualisht janë në vendin e parë në kuotën e 48 pikëve, katër më shumë se Dinamo e vendit të dytë dhe tetë më shumë se Flamurtari i vendit të tretë.Tashmë, në dy javët e mbetura, korçarët do të mundohen të blindojnë vendin e parë të renditjes. Për këtë arritje ka folur Dhimitraq Xhambazi, specialist futbolli.
“Dy ndeshjet e fundit do të konsolidojnë edhe më shumë ekipin e Skënderbeut. Skuadra në dhjetë javët e fundit nisi një proces mjaft pozitiv nën urdhërat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç dhe tani kurorëzoi mundin e bërë në tërë këto javë”, tha Dhimitraq Xhambazi.
Ivan Gvozdenoviç pranoi ofertën për të drejtuar Skëndebreun më datë 4 dhjetor, që nga ajo datë, tekniku serb nuk njeh asnjë humbje në kampionat, përvec asaj në Kupë ndaj Egnatias. Në 16 ndeshje, Gvozdenovic ka arritur të marrë 9 fitore e gjashtë barazime. Shifra që flasin për të, e që në fakt i japin mundësinë të drejtojë Skënderbeun edhe në Kategorinë Superiore.
“Mendoj se trajneri ka bërë një punë mjaft të mirë në këto javë pasi me grupin aktual arriti maksimumin. Jam i bindur se përmirësimin e ekipit në disa repartee ai do të tregojë një nivel edhe më lartë si trajner vitin që vjen në Abissnet Superiore”, komentoi ish-futbollisti.
Drejtuesit e Skënderbuet kanë nisur punën për të përforcuar skuadrën për në Kategorinë Superiore, sipas Xhambazit, ja çfarë i duhet skuadrës për të përballuar elitën. “Mendoj se ndërhyrjet në skuadër duhen bërë me kujdes pasi mjaftojnë 4-5 lojtarë për të rritur ekipin, i cili është fitues. Duhet përgatitur një grup lojtarësh, të cilët mund të mbijetojnë vitin që vjen në Superiore”, tregon Xhambazi.